Home KRYESORE JARGAVANËT E BARDHË

JARGAVANËT E BARDHË

(Tregime Uberi) Nga Mustafa Xhepa

JARGAVANËT E BARDHË
(Tregime Uberi)

Nga Mustafa Xhepa

Pashkë. Mëngjes. Rrugë të braktisura. Afrohem pranë shkallëve të gurta të kishës katolike “St. Peter’s on Capitol Hill”. Magda zbret me kujdes. E moshuar. Në duar mban një degëz me jargavanë të bardhë. Ulet në sediljen e pasme. Në pasqyrë i dallohen sytë e bukur ngjyrë qielli. Pjesa tjetër e fytyrës është e mbuluar me maskë, të thjeshtë, blu të çelur. Sharpa e mëndafshtë, vello e qëndisur me yllëza të kristalta akulli, i mbulon flokët e argjendta. Ato shkumbojnë mbi jakën e fustanit të zi që i zbret poshtë këmbëve, si të ishte një murgeshë.

  • E festuam thjeshtë. Dhjetë vetë njëherësh. Virusi. Unë erdha herët.
  • Gëzuar Pashkët!
  • Gëzuar edhe ju! Zoti na do njëlloj. Edhe sikur të mbetet vetëm një në tokë! Na mëson Shën Agustini.
    Magda, porositësja e Uberit, vendndalimi ka adresë në Potomak. Njëzet minuta udhë.
  • Ju po shkoni… ?
  • Në shtëpi.
  • Kisha është pak larg?
  • Këtu kam vënë kurorën. Pesëdhjetë e pesë vjet më parë. E kam dashur. Marrëzisht. Perëndia na ka lënë në dorë dy gjëra të rëndësishme të jetës t’i vendosim, kur jemi jargavanë të bardhe, të sapoçelur.- Ngre lulet që t’i shoh në pasqyrë.
  • Profesionin dhe martesën.
  • Duhet të vendosin prindërit për to?
  • Nuk thonë kot që shoferët të lexojnë mendjen.- Buzëqesh.
  • Të moshuarit! Që e njohin jetën!
    Ngjisim rrugën “River” drejt Potomakut. E shkretuar edhe ajo. Një ambulancë me drita të ndezura vjen nga pas. Ndaloj. Parakalon. Sirenat ndjellin frikë. Magda bën kryqin. Vazhdojmë në heshtje.
  • Jargavanët e bardhë m’i solli ditën që më rrëmbeu puthjen e parë. “Janë simboli i dashurisë sonë”, tha dhe e besova. Punonim te “The National Symphony Orchestra”, unë violinë e dytë, ai në kor. Shetitëm nëpër vende të bukura në botë. Sa dashuri, shumë dashuri. S’doja ta besoja se shkonte me një këngëtare tjetër. Ajo ishte shoqja ime.- Kërkon diçka brenda në çantën e dorës.
  • E mbaja këtu, deri vonë.
  • Foto?
  • I pëlqente, në gondola. Venecia.
  • Ishit në muajin … ?
  • Po, dhe mbeta …!
    Ngjisim të përpjetën në veri të Potomakut. Pa jetë edhe këtu.
  • Bëra fjalë. Kërkova të më tregonte të vërtetën. Do ta falja. Por, ai shpërtheu i nervozuar: “Ç’kërkon? Je xheloze, sepse është më e bukur se ty”!
  • U trondita, shumë, e humba, e godita me pëllëmbë. Iku dhe s’u kthye më. Iku me të në Çikago.- Ul sharpën të mos i shoh sytë.
  • S’arrita t’i tregoja se isha shtatzanë. Nuk e mësoi kurrë. Bishopi i dioqezës sot më dorëzoi këtë degë jargavanësh.
  • E solli posta, FedEx, në mëngjes. Ka emrin tuaj.
    Nuk po guxoj ta pyes si i shkoi jeta. Afrohemi te një vilë e madhe. Në kopshtin përpara saj vrapon një djalë i ri.
  • Është nipi. I ngjan atij. Nuk i rrihet brenda. – I qeshin sytë.
  • Faleminderit! Perëndia ju ruajtë!
  • Edhe ju zonjë!
    Zbret ngadalë të mos i dëmtojë jargavanët e bardhë.
    “Vazhdon ta dojë”, them me vete.
  • Më priti te stacioni i trenit. Mbrëmje. Kthehesha nga Rrogozhina. E diel.- Më tregonte Mira në mesinxher.
  • Në fillim ngurrova. Artist. Të lëvizur.
  • Kam dalë që të bindesh se e kam seriozisht.
  • I thashë Donikës, më duhet kohë të mendohem.- Donika Vladi ishte kushërira e tij dhe shoqe e ngushtë e imja. Në të njëjtin grup. Zooteknikë.
  • Fakulteti i Veterinarisë, Dega Zooteknikë?
  • Po, në një dhomë, katër vjet. Motër.
  • E pate takuar më parë?
  • Shumë herë. Na merrte në koncerte, kinema … Por vetem asnjëherë.
  • Një natë na ftoi për darkë te Vjosa. Donikës i doli diçka dhe nuk erdhi. Gjatë tërë kohës u tregua i sjellshëm, tërheqës, i përmbajtur … “E ka zënë qymyri”, thashë me vete.
  • Pas darkës më tha se do të më shoqëronte në konvikt. Rrugës u ulëm në një stol te Parku Rinia.- Mirës i rrodhën lot.
  • Mos ma thuaj. Të lëndon.
  • Kanë kaluar tridhjetë vjet dhe pikon ende gjak. Dua ta them që ta shkruash. Vëre në libër. Të mësojnë …- Heshtje.
  • Filloi të më këndojë këngë popullore pranë veshit. Diçka krejt ndryshe. E mësuar me muzikën italiane, më tingëllonin ekzotike këngët e tij. Nga Lura e Dibrës ishte. Herë-herë buzët preknin veshin. Dhe në një moment i vuri mbi buzët e mija. Duhet të më ketë rënë të fikët, sepse kur hapa sytë isha në krahët e tij.- Fshiu lotët.

“Prandaj Magda tha: ‘Perëndia na ka lënë në dorë dy gjëra të rëndësishme të jetës t’i vendosim … kur jemi jargavanë të bardhë’ “. Them me vete. Zbres kodrën e fundit. Rruga “River” vazhdon të jetë bosh. Marr unazën. Vendos të kthehem në shtëpi.

Pranvera e vitit 72 në qytetin e ndërtuar mbi kryq, arteriet e atdheut, erdhi me lule. Shumë lule. Si asnjë vit tjetër. Mësuesi na kishte folur për ekuinoksin. Dielli kishte ditë mbi Ekuador. I nxehtë. Kishte nisur edhe “shkrirja”; ashtu u quajt në BRSS ndryshimi pas Kongresit të XX. Neroni kishte ngrënë goditje në zemër. E para. Ishte trembur.
E shtunë pasdite. Viti i fundit i shkollës. Mbrëmje vallzimi. U mbllodhëm te salla e vogël. Orkestra e Mirit. Tre djem të rinj. Tomi kitarist, Miri fizarmonicist, Jeti baterist. Të talentuar. S’vinin nga bankat e shkollës së muzikës. Sanremo ishte universiteti i tyre. Përtej detit këngët sillnin ëndrra, shpresë, dashuri … Miri ishte fjalëpakë, por thoshte shumë me fizarmonikën. Ajo tingëllonte si bandoneon, kur luante tango. Zumë vend në qoshen e sallës. Timi, Xhemali, Mukja, Pano, Papi, Qemali, Leba, Bilali, Xhelali, Tani, unë, Rexha … . Eh, Rexha që s’linte orë pushimi pa kënduar këngët e reja. Banka instrumenti i tij. Vajzat ishin veshur me fustane të ylberta dhe dukeshin si zambakë të sapoçelur. Zunë vend në anën tjetër. Mbrëmja u hap me himnin e tangove, “La Cumparsita”. Apoteozë. Rendën djemt te vajzat. U mbush hapsira e vogël me çifte. Lëvizni ritmikisht prapa, përpara, nga njëra anë në tjetrën. Ritmonin dy-katër, (ta-ta, ta-ta-ta-ta). Sikur të ishte kafeneja “La Giralda”, ku Firpo e luajti përherë të parë tangon. Dallohej Tani, vallzonte bukur, ishte i dhënë pas mbrëmjeve, Papi mjeshtër i valleve popullor, vallzonte e qeshte i gëzuar, Xhemali i gjatë dallonte në qendër. Shpëtim Rrakulli dhe unë kishim mbetur në stol ende. Një shoqe e lagjes erdhi dhe e mori Timin. Rexha u afrua duke rrotulluar partneren. Shoqëronte këngën me zërin e tij melodioz.

“… e doja aq shumë, ndaj më mashtroi
jetën duke përtypur ëndrra, po e çoj …”

Rexha këndonte me sy të mbyllur. Këngët ndiqnin njëra-tjetrën. Ishin ndezur gjakrat. Unë i tërhequr. Duhej të përshkoje sallën të arrije te vajzat. Po shijoja muzikën. Këngët e reja të Sanremos. “Come le viole” të “Peppino Gagliardi”. Miri ishte duke e shoqëruar me të kënduar.

“… Shumë pranvera do të lulëzojnë përsëri,
Ashtu si vjollcat, gjithashtu,
Do të vish prapë ti, …”

Pas saj, Nada me “Re di denari”. Në drejtimin tim u nis flutura e mbrëmjes. Sapo ishte shkëputur prej krahëve të Xhelal Toskut. Poeti i klasës.

  • Mira, ti e di që s’jam valltar i mirë.
    Më zgjati dorën. Filloi të këndojë vargjet e këngës. I dinte në shqip.

“… Jeta është lojë
Përziej letrat
Fituesi qesh
Humbësi qan …”

“Ja çfarë letre i ra vajzës së bukur e të mençur të klasës”, mendoj i trishtuar. “Të rrisë fëmijën vetëm. Tridhjetë vjet, eh … ”.

  • Mars, 89. Arifi u kthye vonë nga një koncert në Bulqizë. Vajza dhe unë e prisnim me padurim. T’i hidheshim në krahë, ta përqafonim. Ai u shtri në divan pa na kushtuar vëmendje.- Mirës iu lagen sytë e bukur.
  • Trokiti dera. Arifi nuk luajti nga vendi.
  • Shiko kush është!- Më tha ftohtë.
  • Hapa derën. Përballë Ramizi nga fshati Zall Dardhë. Infermieri i zonës. Babai i Violetës, koleges së Arifit. Grua e martuar me dy fëmijë.- Iu lagën fjalët.
  • Hyri Brenda pa e ftuar. Në dorë kishte një çantë të zezë. U ul në kolltukun përballë.- Lidhja në mesinxher u turbullua. Sikur të kishte frikë ç’do të pasonte.
  • Dëgjo nuse!- M’u drejtua.- Për ty kam respekt! Punë kam me këtë, Arifin! Po më ndan vajzën nga burri. Me dy fëmijë!.- Mira fshiu lotët.
  • Ëndrra ime u coptua. E desha më shumë se jeta.
  • Do të heq kokën me këtë!
  • Ramizi nxorri një thikë nga çanta.
  • Jo babin!
  • Thërriti vajza e tmerruar.
  • Fute thikën brenda!- I mbërtheva dorën dhe e shtyva të dalë jashtë.
  • Jo mamin!- Vajza u ngjit pas meje.
  • Mami, mami!
  • Ishte vetëm tetë vjeçe.
  • Do të të kap jashtë!- Thërriste Ramizi.
  • I mbylla derën.- Zëri i mori ton tjetër.
  • Heroi që më kishte rrëmbyer zemrën, rrinte i squllur në divan. Këngëtari i skenave të “udhëheqësit të madh”; “Enver Hoxha, O tungjatjeta …”, ishte lagur…
    “Këngëtar i dalë nga gjiri i ‘kllasës’ ”, them me vete. “Tallej Neroni me ta”.
  • Mos më thuaj se u martua me të!?
  • Po! Iku, atë natë, nëpër errësirë … tek ajo …

Mira sot jeton në gjirin e vajzës dhe fëmijëve të saj në Florida. Nënë e lumtur. Ashtu si Magda …

Share: