Teksa shumë vende planifikojnë ose kanë nisur lehtësimin e masave të izolimit të ndërmarra për frenimin e koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar që ky proces ta bëhet në mënyrë graduale.
Relaksimi i parakohshëm mund të çojë në rritje të numrit të rasteve me koroanavirus, paralajmëroi të martën OBSH-ja.
“Së paku derisa të gjendet vaksina ose një trajtim shumë i efektshëm, ky proces duhet të bëhet normalja jonë e re”, tha Takeshi Kasai, drejtor rajonal për Paqësorin Perëndimor, pranë OBSH-së.
Sipas tij, masat e izolimit kanë rezultuar të efektshme.
“Shoqëria dhe individët duhet të jenë të gatshëm për një mënyrë të re jetese”, tha Kasai.
Disa vende në Evropë kanë nisur këtë javë heqjen e disa masave të izolimit, duke hapur kryesisht dyqane të vogla. Relaksimi i kufizimeve është paralajmëruar edhe në Shtetet e Bashkuara. Koronavirusi ka prekur deri më tash gati 2.5 milionë njerëz dhe ka vrarë mbi 170,000.