Home KRYESORE Ftesa nga Rama për t’u ulur në tryezë, vjen përgjigjja e Bashës

Ftesa nga Rama për t’u ulur në tryezë, vjen përgjigjja e Bashës

Kreu i Partisë Demokratike ka refuzuar thirrjen e kryeministrit Rama për ulje në një tryezë gjithëpërfshirëse që ai bëri më herët.

Në një status në Facebook, Basha shkruan se “zbatimi i 15 kushteve të Bashkimit Europian” është “udhërrëfyesi i vetëm për nxjerrjen e vendit nga autokracia, paligjshmëria dhe kriza ekonomike”.

Kreu demokrat akuzon qeverinë dhe kryeministrin se ka mbajtur peng integrimin europian të vendit dhe se sipas tij kjo nuk mund të maskohet pas thirrjeve hipokrite duke ju referuar deklaratës që Rama bëri gjatë një daljeje mediatike së bashku me Ambasadorin e BE në Tiranë, Luigi Soreca.

Statusi i plotë i Lulzim Bashës

Edi Rama dhe qeverisja e tij e kanë mbajtur peng integrimin europian të Shqipërisë dhe për shkakun e tij gjatë këtyre viteve kushtet janë shtuar nga 5, në 9 dhe tani janë 15 që duhen përmbushur. Ky është një dështim i Ramës, që nuk mund të maskohet dot pas thirrjeve hipokrite.

Pandemia për fat të keq tregoi edhe njëherë se Rama vazhdon të vjedhë dhe mashtrojë njerëzit duke i lënë ata pa ndihmën ekonomike që u takon të marrin nga shteti.

Pandemia tregoi se ai vazhdon ta përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin me krimin e organizuar në një fushatë të turpshme të pastrimit të parave të pista. Pandemia tregoi se ai e vendos veten mbi ligjin dhe kushtetutën dhe se për veten dhe klientelën e tij shkel mbi gjithçka.

Vendi tani është para një krize të thellë ekonomike sepse në vend që t’ju japë mbështetje njerëzve dhe ekonomisë, Rama po jua jep paratë e shqiptarëve një grushti klientësh dhe oligarkësh.

Kjo krizë vetëm sa nxorri zbuluar të gjitha dështimet e Ramës: shëndetësinë e vjedhur, ekonominë e rrënuar, papunësinë e rritur, varfërinë në ekstrem, dhe shtetin prej kartoni të katandisur në regjim facebook-u. Janë dështimet e Ramës që po varfërojnë përditë njerëzit, po e rrënojnë ekonominë, dhe po na largojnë nga Europa.

Zbatimi i 15 kushteve të Bashkimit Europian për hapjen e negociatave është jetik për Shqipërinë dhe udhërrëfyesi i vetëm për nxjerrjen e vendit nga autokracia, paligjshmëria dhe kriza ekonomike, ku e ka zhytur Rama dhe regjimi i tij kusar. /Opinion.al

Share: