Home KRYESORE Flet 15-vjeçari që u rrah brutalisht nga polica, tregon trupin plot shenja...

Flet 15-vjeçari që u rrah brutalisht nga polica, tregon trupin plot shenja nga dhuna

JOQ Albania raportoi pak orë më parë dhunën shtazarake të Policisë së Lleshit, e cila demonstroi forcën e saj mbi një djalë të mitur.

Ngjarja e rëndë ndodhi në parkun e Liqenit Artificial, ndërsa në videon e siguruar ekskluzivisht nga JOQ Albania shihej se si katër punonjës policie shtrinë përtokë dhe dhunuan adoleshentin vetëm pse kishte dalë jashtë orarit të lejuar për shkak të pandemisë.

Në video u pa se si dy nga punonjësit e qëlluan me shpullë e grushta adoleshentin, edhe teksa ishte shtrirë edhe pasi e ngritën në këmbë. Adoleshenti i shtrirë në tokë dëgjohet teksa thërret dhe përpiqet ë lirohet.

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me incidentin e rëndë, ku është mësuar se adoleshenti është vetëm 15-vjeç.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga nëna e djalit, e cila ka treguar se i biri e ka respektuar karantinën, ndërsa shtoi se ditën e sotme i kishte kërkuar që të dilte me shokët në zonën e Liqenit.

Për “Abc News”, ajo është shprehur:

Djali nuk është fare mirë realisht. Kaloi një traumë të pashpjegueshme. Është 15 vjeç. Ta imagjinosh që ka qenë vigjilent gjatë gjithë kohës së karantinës, ka qenë në shtëpi me mua. Karantinën e kemi ruajtur, e kemi respektuar. Duke parë këtë javë…sot më kërkoi leje që të shkonte nga liqeni, i thashë mirë mami shko, mos u vono. Doli vetëm për të bërë xhiro me biçikletë.

Më tej zonja tregon se pasi djali u vonua, ajo e mori në telefon dhe e pyeti se ku ishte, ndërsa ai i tregoi që ndodhej në polici pasi “më kapën këta me biçikletë.”

Ndërsa, vetë 15-vjeçari rrëfeu se ishte me dy shokë të tjerë dhe po shkonin në shtëpi kur policët u kishin thënë që ktheheshin nga pas.

Por, sipas të riut, pasi ata u thanë që nuk dinin rrugën, policët thirrën patrullën dhe aty filloi gjendja të përshkallëzohej.

Djali tregon:

Po kaloja me dy shokë të tjerë po shkonim në shtëpi, na bërën që të kthehemi nga pas, unë u thashë që nuk e dimë rrugën. I thashë që nuk e di rrugën, a mund të kaloj këtej u thashë. Pastaj thirrën një patrullë policie, u mblodhën 5 policë dhe po më mbanin nga biçikleta se kishin frikë se mos ikja.

Më pas ai thotë se i thanë që të zbriste nga biçikleta, por ai refuzoi sepse kishte frikë pasi biçikleta nuk ishte e tija, dhe aty filluan që t’i gjuanin me shpulla.

Ai tregon:

Më thanë zbrit, unë nuk zbrita. Pasi nuk zbrita erdhi një polic më kapi nga krahu, më gjuajti në shpullë… më kërkuan kartën e identitet po u thashë që nuk kam se nuk e kam mbushur moshën.

Po ashtu, 15-vjeçari tregon se policët e gjuajtën edhe rrugës për në komisariat, ndërsa ndodhej i prangosur bashkë me shokun e tij në makinë pasi “po fliste shumë sepse ishte i nevrikosur”.

Ai thotë se në polici e mbajnë 45 minuta dhe më pas e liruan pasi i erdhën prindërit.

Ndërkohë, burime për Abc News thonë se për tre nga efektivët në video ka nisur hetimi disiplinor ndërsa efektivi që shihet duke e gjuajtur të riun me shpulla do të shkarkohet.

Share: