Komunikatë për Shtyp për Teatrin Kombëtar – Confindustria Albania
Me një ndërhyrje të pakthyeshme u është rrëmbyer qytetit dhe banorëve të tij, një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe europiane. Teatri Kombëtar u shemb në emër të përparimit që fsheh, jo aq mirë, vetëm prapambetjen kulturore dhe përçmimin për rrënjët e një populli të tërë.
Ashtu si çdo krim, aktiviteti i rrënimit u zhvillua në orën 4.30 të mëngjesit, kur ishte akoma errët, siç bëhet me diçka që duhet të fshihet. Dhe, në fakt, ka shumë pak për t’u krenuar kur i ke shkulur qytetit një vend të kulturës, një pjesë të historisë së tij dhe trashëgimisë jo shumë të madhe arkitekturore.
Me goditjet e buldozerëve, ne të gjithë u privuam nga një pjesë që ishte dëshmi e së kaluarës. Në të gdhirë u fshinë jetët e shumëfishta që lindën në atë vend; jo vetëm aktorët që performuan ose që punuan për të, por qindra njerëz që e panë të funksiononte. Në pak orë u fshi mundësia që qytetarët e nesërm të shijojnë një pjesë të kujtesës kombëtare.
Ishte një veprim frikacak, mjeran, i ulët. Një gjest që tregon gjithë papërgjegjshmërinë e klasës politike që drejton vendin, e cila filloi punën për të fshirë identitetin kombëtar, duke i rezervuar të njëjtin fat edhe kopshtit të ulur (rezultat i punës së arkitektit gjenial Giulio Bertè, i ndërtuar në 1935 dhe rrënuar në vitin 2011) dhe stadiumit monumental (i projektuar nga Gherardo Bosio, i cili përfundoi ndërtimin në 1941 dhe u shkatërrua në vitin 2016).
“Faji” i ndërtesës është të qenurit e saj në zemrën e qytetit, disa hapa larg nga sheshi Skënderbej, në një pozicion të privilegjuar, tepër të lakmuar të Tiranës, kryeqytetit që po përpiqet të projektojë veten e tij në epokën moderne dhe po e bën këtë duke shkatërruar historinë e tij.
Qeveria, me vendimin nr.377, të datës 08/05/2020, botuar në Fletoren Zyrtare, vendosi t’ia transferojë pronësinë e tokës së Teatrit Kombëtar, një sipërfaqe prej 5 522. m2, Bashkisë së Tiranës. Vendimi pohon se ky hap është bërë me qëllim ndërtimin e një ndërtese bashkëkohore dhe sipas standardeve në vend të Teatrit Kombëtar ekzistues.
Është sikur për të ndërtuar një teatër më të madh, të mbuluar e të rehatshëm, të vendoset shembja e Arenës së Veronës ose Koloseumit. Një popull pa histori është një popull pa të ardhme.