Ka përfunduar pas më shumë se 4 orësh diskutime mbledhja e radhës e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.
Ndënëse afati kur kjo reformë duhet të përmbyllet është pranë përfundimit, duket se palët ende nuk kanë arritur një konsensus për çështjet më të rëndësishme të saj.
Përfaqësuesi i opozitës në këtë tryezë Oerd Bylykbashi deklaroi pas takimit se PS tregoi edhe njëherë se nuk heq dorë nga vjedhja e votave dhe mbushja e kutive.
“Të gjitha propozimet tona janë refuzuar pavarësisht fleksibilitetin tonë për çështje të caktuara. Ne jemi përballur me refuzimin e të gjitha çështjeve që garantojnë procesin zgjedhor. Për të tretën ditë me radhë partia socialiste bëri me dije se nuk heq dorë nga qëllimi i saj për të mbushur kutitë e votimit. Partia Socialiste, sot përsëri, pavarësisht insistimeve se e ka të qartë se kjo është çështje themelore, nuk heq dorë nga modeli i 30 qershorit. Vetë mbush kutitë, vetë i numëron, vetë shpall rezultatin. Partia Socialiste në strategjinë e saj ka vetëm një gjë vjedhjen dhe marrjen e votave në tavolinë. Kjo është një vizë e kuqe të cilën opozita nuk do lejojë të kalohet”, tha Bylykbashi.
Ndërsa përfaqësuesi i LSI në Këshillin Politik, Petrit Vasili, u shpreh se me depolitizimin e komisioneve zgjedhore, PS kërkon të grabisë zgjedhjet e 2021 si zgjedhjet e 30 qershorit. Vasili u shpreh se përfaqësimi i barabartë politik në komisionet zgjedhore, duhet të ruhet.
“I gjithë modeli i socialistëve është vetëm legjitimimi i zgjedhjeve të 30 qershorit, ku numëruesit dhe komisionerët e qeverisë, tani të bëhen me ligj. Kërkon që të mbushë votat në tavolinë dhe t’i numërojë vetë, ashtu siç bëri në 30 qershor. Opozita nuk tërhiqet asnjë centimetër nga ato standarde që janë aktualisht dhe të hyjë në standarde që nuk kanë qenë asnjëherë. Partia Socialiste synon të minojë reformën zgjedhore, duke e miratuar në mënyrë të ngjashme. Propozimi i opozitës nuk i jep asnjë privilegj opozitës, por vendos në kushtet të barabarta qeverinë dhe opozitën në komisionet e administrimit zgjedhor. Por, PS nuk kërkon paritet, por kërkon që të mos ketë asnjë sy tjetër në tavolinë.” u shpreh Vasili./Opinion.al