Home KRYESORE Opozita parlamentare: Tryezë dialogu me Ramën ose nuk e votojmë reformën

Opozita parlamentare: Tryezë dialogu me Ramën ose nuk e votojmë reformën

Grupet parlamentare të opozitës i kanë dërguar një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi ku i kërkojnë një takim urgjent pas marrëveshjes së arritur për Reformën Zgjedhore.

Sipas tyre, “kjo marrëveshje është në shkelje të legjitimitetit të Kuvendit të Shqipërisë, pasi i imponohet vendimarrjes sovrane të këtij institucioni”.

“Në frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, e cila përcakton qartë në Nenin 81, pika 2, gërma “c” se ndryshimet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, si opozitë parlamentare kemi propozuar dy kushte të panegociueshme, plotësimi i të cilave sjell votimin tonë në Kuvend: A) Kodi i Ri Zgjedhor duhet të jetë i ri, jo një arnim skandaloz i Kodit të vjetër Zgjedhor ku shkelen me të dyja këmbët rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ata që ikën nga Parlamenti nuk mund ta mbajnë peng as parlamentin as procesin zgjedhor në Shqipëri sipas hesapeve të tyre, qoftë edhe me bekimin e kryetarit të maxhorancës që sillet edhe si Ali edhe si Kadi sipas hesapeve të tij.
B) Shumica në Kuvendin e Shqipërisë duhet të na krijojë kushtet dhe garancitë për një dialog serioz, transparent dhe të hapur, PËR KALIMIN NGA LISTAT E MBYLLURA TEK LISTAT E HAPURA”, shkruhet në letrën e opozitës parlamentare.

Grupet parlamentare të opozitës kërkojnë që brenda 48 orësh të thërritet një tryezë dialogu midis tyre dhe përfaqësuesve të mazhorancës, “ku vetëm prania e kryetarit/kryeministrit Rama do të ishte prova e seriozitetit të tryezës”.

Nëse kjo nuk ndodh, grupet parlamentare të opozitës shprehen se nuk do ta votojnë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. / Opinion.al

Share: