Nga Enver Bytyçi
Pamjet e transmetuara nga Turqia ditën e djeshme ishin trishtuese, të paimagjinueshme dhe shkatërruese për një sistem vlerash të një vendi anëtar të NATO-s dhe kandidat për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian. Trupat policore kanë hyrë me forcë në godinën e gazetës “Zaman”, një gazetë kritike e qeverisjes aktuale të Turqisë, dhe kanë marrë nën kontroll administrimin e kësaj gazete, e cila çdo ditë del me më shumë se një milion kopje në treg, duke konkuruar shtypin e shkruar europian. Arësyetimi i kësaj dhune shtetërore kundër gazetës më të madhe turke lidhet me faktin se ajo kritikon qeverinë dhe presidencën e zotit Erdogan si mbështetje e kundërshtarit të presidentit turk, udhëheqësit shpirtëror të Lëvizjes “Hizmet”, Fethullah Gylen. Zoti Erdogan e ka akuzuar kundërshtarin e tij si “komplotist”, që me anën e rrjetit të tij mbështetës në drejtësi, polici, në media dhe në arsim synon të rrëzojë pushtetin aktual në Ankara. Më këtë akuzë sot u shkërmoq media më e fuqishme e fjalës së lirë në vendin e madh të Turqisë, “Zaman”, si dhe një agjenci lajmesh e lidhur me të, “Cihan”.
Qytetarë të shumtë në Stamboll janë përleshur me policinë në përpjekje për ta ndaluar aktin e dhunimit të tempullit të vetëm të fjalës së lirë të mbetur në këtë vend. Policia ka përdorur pompat e ujit për të shpërndarë turmën dhe ka hyrë me forca të shumta në ambjentet e gazetës. Kjo ndodhi pasi gjykatat kanë ndëshkuar dhe dënuar disa gazetarë opozitarë të rrjetit mdiatik të mbështetur nga Gylen me akuza absurde.
Rasti në fjalë ka shkaktuar gjithashtu një reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos në Bashkimin Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat nuk pajtohen me veprime të tilla arrogante të tipit totalitar kundër medias dhe fjalës së lirë. Në të vërtetë tolerimi i një akti të tillë nga ana e qeverisë turke do të ishte inkurajim e frymëzim për forcat e errëta antidemokratike për të shtuar dhunën kundër kritikëve të qeverisjes dhe për të ndaluar e cennsuruar fjalen e lirë jo vetëm në Turqi, por edhe në vende të tjera anëtarë të NATO-s e të BE-së, ose në vendet që janë në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Presidenti i Parlamentit të Bashkimit Europian, Martin Schulz, u shpreh sot se “Turqia po luan me veten e saj sa i përket afrimit të saj të mëtejshëm me BE-në”. Qeveria amerikane kritikoi këtë akt duke e konsideruar si të papranueshme përpjekjen e qeverisë së Ankarasë për të vënë nën kontrollin e saj gazetën më të madhe të vendit. Shefi i Partisë së të Gjelbërtëve në Berlin me origjinë turke, Cem Ozdemir, i kërkoi kancelares Angela Merkel që të deklarohej qartë kundër aktit të dhunshëm ndaj gazetës “Zaman” dhe stafit të saj. Ai shprehet i ashpër me ndërhyrjen qeveritare turke për vënien nën kontroll të medias dhe paralajmëron institucionet e BE-së, kur thotë se “Do të ishte fatale, nëse Bashkimi Europian do të jepte sinjalin e gabuar, sipas të cilit, “Politika për refugjatët është më e rëndësishme sesa respektimi i vlerave themelore të lirisë”. Me këtë pozicion opozita gjermane do ta vendosë në vështirësi autoritetin e zonjës Merkel, e cila do të jetë e detyruar të ashpërsojë qendrimin e saj ndaj Turqisë.
Kjo do të thotë gjithashtu se presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, llogarit në interesat konjukturale të Bashkësisë Europiane, e cila është në vështirësi për menaxhimin e krizës së refugjatëve që vijnë nga vatrat e konfliktit në Siri. Ai po e shfrytëzon këtë krizë për të rrit pushtetin e tij absolut në vend dhe për ta drejtuar atë më një dorë të fortë autoritare me elementë të shumtë të tatalitarizmit. Ai shpreson se në këto kushte Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të reagojnë ashpër, së paku nuk do të vendosin sanksione ndaj Ankarasë.
Por nëse Perendimi vendos të reagojë me ashpërsi, atëherë qeveria turke do të vihej në vështirësi të jashtëzakonshme, sepse Ankaraja ka humbur tashmë një aleat të pazakonshëm, Rusinë, të cilën e përdori, njësoj si edhe Beogradi, si kartë për të ushtruar presion ndaj NATO-s dhe BE-së, me qëllim krijimin e një hapësire tolerance për veprimet antidemokratike të presidentit Erdigan. Tashmë Moska dhe Ankaraja ndodhen në konflikt midis tyre dhe në rastin e një reagimi serioz të Perendimit, atëhere Turqia do të gjendej në një pozitë të pafavorshme.
Martin Schulz i ka telefonuar kryeministrit turk, Davutoglu, por ky i fundit e ka justifikuar ndërhyrjen dhe marrjen nën kontroll të gazetës “Zaman”, në zbatim të një vendimi të gjykatës turke, sipas së cilës gazeta në fjalë do të duhejadministruar nga një administrator i caktuar nga qeveria. Kjo do të thotë, ndryshim i politikës editoriale të gazetës dhe përfundimisht mbylljen ose vënien e saj në shërbim të qeverisë.
Në Shqipëri nuk i telefonojnë kryeministrit tonë për fatin e medias, sepse tek ne nuk janë shfaqur ende skenat e tilla të dhunës policore sin ë rastin e “Zaman”. Por në përmbajtje një sjellje e tillë me median është prezente. Në dy-tri vitet e fundit të qeverisjes së antirilindjes dhuna, terrori, kërcënimi mbi median, gazetaret e moderatorët e saj, janë ngritur në sistem, aq sa kritikat e saj për qeverisjen e dështuar janë sipërfaqësore, për çeshtje anësore, duke u larguar qëllimisht nga thelbi i zhvillimeve negative në këtë vend. Panorama e sjelljes arrogante të kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit të tij me median kanë arritur shkallën më të lartë, por me një ndryshim nga ajo që ndodh në Republikën e Turqisë: Tek ne makiazhi, fshehja e dhunës, arroganca e shitur si debat demokratik, blerja e pronarëve të medias, kërcënimi jo publik i tyre, kushtëzimi në biznes etj, janë skemat perfide të sjelljes me median nga ana e ekzekutivit shqiptar.