Home KRYESORE Rrugë të ndryshme, destinacioni i njëjtë…

Rrugë të ndryshme, destinacioni i njëjtë…

Rrugët e secilit janë të ndryshme, destinacioni i njëjtë: takimi me Hyjin. Dikush e fillon herët, dikush në mesditë, dikush afër muzgut. Askush nuk mund të gjykojë rrugëtimin e tjetrit. E nëse secilit i takon e njëjta “pagë”, i njëjti shpërblim, kjo nuk është puna jonë, por e atij që ka në dorë shpërblimin.

Nëse ata të mëngjesit thonë “po ne u lodhëm më shumë e na takon më shumë”, nuk kuptojnë se shpërblimi që vjen prej Hyjit nuk varet nga meritat tona, por nga zemërgjërësia e Tij. Duket një zemërim i ligjshëm, gati-gati një padrejtësi, por nga këndvështrimi i Hyjit ajo çka ka rëndësi është që jemi para Tij dhe pranojmë se jemi bij të Tij. Kjo i mbush Atij zemrën.

Secili e ka një mundësi, edhe në fund, edhe kur koha është duke mbaruar e dita shkon në të sosur. Me qëndru para Zotit jemi gjithmonë në kohë pavarësisht nga mosha apo nga sa apo çfarë kemi bërë.

Dashuria e Tij është një paradoks, një befasi, një revolucion që përmbys edhe logjikën më të fortë e më të ftohtë.

Ndoshta ju duken të pakuptueshme këto fjalë të miat …

Dëgjoni nesër në meshë fjalën e Hyjit (Mt 20,1-16)!

Të djelë të bekuar!

  • dom Gjergji
Share: