Home Gjeo-Ekonomia “Më të Mirët” kontribuojne me 62 për qind të PBB-së

“Më të Mirët” kontribuojne me 62 për qind të PBB-së

Takimi ynë i përvitshëm në këtë periudhë nëpërmjet Botimit Kombëtar “Biznesi Shqiptar: Më të Mirët” është bërë i zakonshëm. Jemi “takuar” për 17 vite me radhë dhe shpresojmë se do të takohemi edhe shumë vite të tjera. Për arsyen e thjeshtë sepse ky botim ia ka dalë mbanë ti përmbahet me besnikëri qëllimeve për të cilin edhe ka nisur. Ia ka dalë mbanë të bëjë një hierarki reale në botën e biznesit, duke treguar cdo vit “Më të Mirët”, mbi bazën e performancën faktike të realizuar prej tyre. Ia ka dalë cdo vit që të ofrojë e tregojë histori frymëzuese biznesi me qëllim për të transmetuar tek publiku bindjen se për të bërë biznes asnjëherë nuk është vonë. Mjafton të kesh ide të qarta, vullnet e dedikim për të punuar në funksion të konkretizimit të këtyre ideve, si dhe respektim të disa “ligjësive” që të garantojnë suksesin.

Tashmë edhe në Shqipëri egzistojnë disa praktika apo institucione trajnuese për mënyrën se si mund të sigurohet suksesi në biznes-e kjo është një gjë e lavdërueshme. Por asgjë më shumë se sa suksesi konkret, i siguruar prej atyre që në kujtesën tonë të hershmë kanë qenë të barabartë me ne nuk mund ta ketë këtë rol e funksion.

Kemi shfrytëzuar rastin për të treguar edhe problematikat me të cilat hasen biznese të ndryshme, sektorë të ndryshëm të tij, në mënyrë që të japim kontributin tonë në “pikturimin”e plotë të tablosë së biznesit.
Gjatë vitit 2019, konstatohet një realitet i “Më të Mirëve” i ngjashëm me një vit më parë. Kështu,, 200 kompanitë më të mëdha shqiptare realizuan një total xhiroje prej 8.4 miliardë euro. Kjo përbën rreth 62 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto. Ky tregues është thuajse i njëjtë me atë të një viti më parë dhe shkaku se pse nuk ka ndonjë rritje, sikurse është edhe më e pritshmja_ vjen prej faktit se disa aktivitete në lidhje me projektin e madh të Gazsjellësit TransAdriatik kanë përfunduar ose janë në përfundim.

Edhe sa i takon fitimit “Më të Mirët” realizuan një total prej 809 milionë eurosh, ndërkohë që vitin paraardhës ky tregues ishte pak më i lartë.
E njëjta gjë mund të thuhet për treguesin e eksportit. Të 100 kompanitë më të mëdha eksportuese dërguan në tregjet e huaja afro 1.2 miliardë euro.

Në listën e 200 më të mëdhenjve të Shqipërisë si dhe në listën e 200 kompanive më efektive të saj konstatohet me kënaqësi një rritje e pranisë së kompanive me natyrë prodhuese, e kompanive që kanë një natyrë aktivitet që shkon në harmoni me prioritetet e vendit, me ato cka ka nevojë ai.

Libri vazhdon ti përmbahet traditës së krijuar sa i takon formës dhe përmbajtjes së tij. Në të do të gjeni të dhëna të detajuara për mjaft kompani shqiptare e të huaja, do të keni mundësinë të krijoni një ide më të qartë për fizionominë e biznesit shqiptar në tërësi, nëpërmjet të dhënave krijohet mundësia e gjykimit për mjaft subjekte ekonomikë, mund të krahasohen ato edhe me subjekte të rajonit që kanë të njëjtën natyrë aktiviteti etj.

Në Botimin e sivjetëm kemi sërish të dhëna krahasuese nga vendet e rajonit, si nga Serbia, Slovenia, Kroacia, Bosje Hercegovina, Maqedonia, të dhëna këto që shërbejnë për të krijuar një ide mbi nivelin ku ndodhet biznesi shqiptar në raport me analogët e tij. Sikurse cdo vit, kemi bërë përpjekje për të siguruar të dhëna edhe nga Kosova, cka do ta bënte akoma më të plotë tablonë. Mirëpo për shkak të një ligji absurd, që i konsideron të dhëna të tilla si mbrojtje e koefidencialitetit të kompanive, nuk eshtë bërë e mundur sigurimi i tyre.

E shfrytëzojmë sërish rastin për tiu drejtuar një falenderim të përzemërt të gjitha institucioneve shtetërore bashkëpunuese, të cilët ndihmuan në realizimin e këtij botimi

Share: