Nga Nikollaq Neranxi
Në vitin 2016, kur u mësua se çfarë po kurdisej nga pushteti vendor, se si vjedhjes së pronave ia kishin vënë emrin Rikualifikim Urban, banorët e Himarës filluan protestat.
Këshilli bashkiak kërkonte ta miratonte atë plan, në mënyrë të jashtligjshme dhe pa pëlqimin e të zotëve të vendit. Protestuam dhe e kundërshtuam atë formë të dhunshme, banditeske dhe tinzare me të cilën, pushteti vendor me urdhër të pushtetit qendror, po bënte gati grabitjen masive të pronave të bregdetit. Padyshim, të gjithë jemi koshientë se të luftosh me një pushtet antidemokratik, nuk është e lehtë. Ai projekt u miratua asokohe, në një mbledhje të bërë në Kuç, larg zonës për të cilën po përgatitej batërdia e vjedhjeve.
Kanë kaluar 4 vite që atëherë, shumë prona private u vodhën, edhe pse ai projekt vijon akoma të jetë në proces gjyqësor, i paditur nga Shoqata për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Historisë dhe Kulturës Himarë, me Kryetar Nikollaq Neranxin.
Ndërkohë lagja e Spilesë ku unë dhe familja ime jetojmë prej shekujsh, sot e kësaj dite nuk është prekur. Me të drejtë shumë prej jush mund ta quajnë fitore të betejës tonë, pasi një lagje aq e vjetër dhe me emër të madh, i shpëtoi barbarisë së grabitjes. E megjithatë, teksa hedh një vështrim sot në atë lagje, kupton se mosprekja e saj, nuk na jep të drejtën që të gëzohemi aq shumë.
Spileja, qendra e Himarës, në këto vite është privuar nga çdo lloj investimi, si një formë hakmarrjeje, si për të na thënë, që kështu e deshët, ja ku e keni! Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Ne kemi qenë kundër grabitjes, por jo kundër zhvillimit dhe investimeve.
Euforia e fitores se nuk u prekën shtëpitë e lagjes, mori forma të shëmtuara dhe alarmante. Mungesa e vëmendjes së pushtetit apo qoftë edhe e privatit për të investuar, i ka hapur dritën jeshile papërgjegjshmërisë.
Nëse shkon sot në Spile, shikon gardhe dhe mure të shëmtuara, të ndërtuara rishtas. Njerëz që nuk dinë dhe nuk ia kanë idenë se si jetohet në komunitet, kanë bërë shtesa, rrëza, mure në format më të papranueshme, duke i zënë edhe rrugën e kalimit komshiut.
Atë që nuk ia bëri dot pushteti, po ia bëjnë njeri tjetrit, duke treguar mungesën e kulturës më minimale se si mund të jetohet me njëri tjetrin. Ai që ka shok policin e lagjes apo dikë që është afër pushtetit, sillet si i fortë dhe nuk do t’ia dijë teksa bën një ndërtim pa leje, ndërkohë që me ligj, që tek tulla e parë duhej të shkonte në burg.
Si banor i asaj zone, që kam luftuar dhe sakrifikuar që ato prona të mos preken, ndjej zhgënjim dhe keqardhje, teksa shoh se si është katandisur ai vend. Prandaj i bëj thirrje pushtetit vendor, të bëjë investime në Spile. Gjithashtu i bëj thirrje sipërmarrësve privatë, të vijnë të investojnë në Spile. Unë jam gati të jap pronat e mia për investim, në mënyrë që ajo zonë të zhvillohet.
T’i japim fund historive primitive të gardheve dhe mureve pa sens dhe ta zhvillojmë atë zonë të bekuar të bregdetit të jugut.