Gjatë fjalimit nga Kukësi, kryeministri Edi Rama u ndal në krahasimin e qeverisë së tij përkundrejt asaj të demokratëve, duke mos kursyer edhe përmendjen e presidentin Ilir Meta, kryetarit të PD-së, Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi.
“Ata të cilët sot duan të kthehen e kanë patur dy herë mundësinë, e kanë patur herën e parë kur Shqipëria përfundoi në humnerë dhe shqiptarët mbetën në mëshirën e fatit sepse u lanë në mëshirën e Sudes dhe herën e dytë kur e çuan në buzë të humnerës. Kur erdhëm në pushtet sfida ishte të mos ulnim rrogat sepse qeveria ishte zhytur në borxhe, këta që flasin për njerëzit në nevojë, se si ne duhet ti asitojmë të sëmurët, 40 milionë euro borxh ua kishin njerëzve me aftësi të kufizuara, i kishin hequr nga lista, për të mos folur për borxhet e kompanive, ato që i kishin furnizuar spitalet me ilaçe, i kishin katandisur spitalet…. shkonin me batanije me vete. Për të mos folur për njerëzit në fshat, për ujin e pishëm, turpin ta mbajë ata që e kanë. Gropat e hapura në 30 vite dhe larja e mëkateve të 30 viteve, në 7 vite kemi bërë shumë herë më shumë seç kanë bërë ata në të gjitha vitet e marra së bashku, pa llogaritur pjesën tjetër që kemi bërë edhe ne gabime, kemi të meta nuk diskutohet, dimë të kërkojmë edhe ndjesë. Ne nuk jemi të përsosur, por ama dëme njerëzve, dëme vendit siç i kanë bërë ata nuk i kemi bërë kurrë, dhe se kam këtu vetëm për të vrarët me plumb se dilnin në protest, të vrarët me shpërthime sepse jetonin rreth e rrotull një fabrike fantazmë, këto janë më ekstremet, e kam për dëmet e shkaktuara në çdo sektor, te të rinjtë, fëmijët, që sot janë të rinj që këta u qajnë hallet, që u kanë batarduisur me qindra e qindra tekste idiote, sot fëmijët tanë e këtij vendi kanë tre tekste kanë 3 alternativa, jo 45 të shkruara nga këshilltarët injorantë të Saliut. I kanë librat falas nuk i kanë me pagesë, prindërit nuk paguajnë injorancën e autorëve kopjacë të llojlloj librash”, tha Rama.
Më tej shtoi:
“Çfarë do Ilir Meta, a mund të ma thotë kush? Çfarë kërkon Ilir Meta akoma nga shqiptarët? Që s’rri dot një ditë rehat, s’rri dot pa nxitur sherr. Fut në sherr dy që të dalësh ti i treti që bën paqe. E bënë shqiptarët kryeministër, e bënë kryeparlamentar, e bënë dhe president. Çfarë borxhi i kanë më shqiptarët partisë së tij? Këtë herë voton Lulin po s’merr Lulin merr Ilirin dhe Monikën. Si ato çokollatat e fëmijëve, që e merr dhe brenda goglës ka dhe dy gogolë. Është koha që të gjithë ta mbledhin mendjen që mandati i tretë i yni është ai që i vë vulën përfundimisht një transformimi që bëhet i pakthyeshëm ndërkohë që ndërprerja e rrugës sonë i kthen të gjitha mbrapsht. Të gjitha janë punë që duhen çuar përpara dhe duhen mbyllur, reforma në drejtësi. Përfytyroni të vijë Saliu, Iliri, Monika, Luli; Luli është ndryshe nga këta, por ai s’ka fuqi t’i tërheqë këta, e tërheqin ata, e vënë para si djalë të bukur. I kuptoj kur thonë s’ka drejtësi, më thonë fut në burg atë, këtë, a thua se në 2013-2017 ishte 1945, a thua se nuk e kemi ndryshuar sistemin, nuk fut në burg as qeveria as kryemistri por drejtësië, por duhet të hyjnë në burg ata që e kanë penguar drejtësinë, prokurët dhe gjykatësit që po i pastron vetting-u”.
Top Channel