Home KRYESORE Covid 19 mjeku i njohur: Le ta analizojmë pak luksin që rilindja...

Covid 19 mjeku i njohur: Le ta analizojmë pak luksin që rilindja po u ofron shqiptarëve

LUKSI PËR TË VDEKUR

Nga Erion Dasho

Demagogjia e shtetarëve shqiptarë përballë epidemisë COVID po arrin kulme të pamenduara!

Dje dëgjuam çudinë e radhës kur një drejtues emisioni pyeti se përse pacientët sillen të gjithë në spitalet COVID 1 dhe 2 në vend që të trajtohen në spitalet rajonale. Përgjigja ishte:

“Të trajtohesh në një spital terciar është luks dhe ne po ua ofrojmë këtë luks pacientëve shqiptarë!!!”

Le ta analizojmë pak luksin që rilindja po u ofron shqiptarëve:

  1. Nga qindra pacientë të intubuar në spitalet luksoze shqiptare, kanë shpëtuar vetëm një ose dy fatlumë. Në botë shpëtojnë midis 50% dhe 75%.
  2. Në spitalet luksoze shqiptare familjarët e pacientëve blejnë vetë aparatet CPAP dhe BiPAP, medikamentet dhe shpesh edhe ushqimin. Vetëm aparatet kushtojnë midis 1.500 dhe 3.000 Euro. Një kurë me remdesivir kushton mbi 3.000 Euro.
  3. Në stinën e verës, asnjë nga spitalet luksoze nuk kishte kondicionim. Pacientët raportonin kushte çnjerëzore në terrenin e verës mesdhetare. Të presim dimrin për të parë në se do të ketë ngrohje.
  4. Megjithë luksin e ofruar në vend, pasanikët shqiptarë kanë zgjedhur të trajtohen në spitale më pak luksoze në Turqi, Itali, Austri, etj. Mbi 80 çartera janë nisur drejt këtyre destinacioneve në dy muajt e fundit. Mbetet e pakuptimtë se si ata që janë mësuar të shijojnë luksin e jetës, kanë zgjedhur t’i kthejnë shpinën luksit të spitaleve të rilindur.
  5. Duke mos e ndjerë veten të denjë për luksin e COVID 1 dhe 2, shumë qytetarë janë duke ju shmangur spitaleve duke tentuar të mjekohen me çdo kusht në shtëpi. Shpesh, ata kanë vendosur në rrezik serioz shëndetin, madje edhe kanë humbur jetën. Kuptohet se për t’u trajtuar në shtëpi pacientët shpenzojnë me mijëra euro.

Pasi i lanë shqiptarët në mëshirën e virusit, pasi u rrezikuan shëndetin dhe jetën, pasi u shkatërruan ekonominë, tashmë qeveritarët kanë zgjedhur edhe të tallen me qytetarët e tyre në mënyrën më të ulët të mundshme.

Në vend që të kërkojnë falje dhe të mbajnë përgjegjësi për jetët e humbura kot, demagogët e rilindjes flasin për luksin e spitaleve pa mjekë, pa pajisje, pa ilaçe, pa protokolle…

Zotërinj qeveritarë dhe komitetsa!

Boll ju lutemi shumë!

Kupa është mbushur…

Share: