Home KRYESORE Polici vrau 25-vjeçarin, Lleshaj: E vërteta është ngushëllimi më i madh

Polici vrau 25-vjeçarin, Lleshaj: E vërteta është ngushëllimi më i madh

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar një ditë pas vrasjes nga policia të 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Përmes një postimi në “Facebook”, Lleshaj shkruan se ka besim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës.

“E VËRTETA ËSHTË NGUSHËLLIMI MË I MADH Ka shumë arsye se përse e ndjej fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij. Në këto çaste të hidhërimit të madh, u shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella për këtë humbje tragjike. Në të njëjtën kohë, shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës. Kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, të afërm të viktimës, qytetarë të zakonshëm, pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe gjithë të tjerët. Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë.”-shkruan Lleshaj.

Klodjan Rasha u qëllua me dy plumba nga një efektiv policie gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Pas ekzekutimit të të riut, Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht se viktima e kishte kërcënuar efektivin me një send të fortë që në dukje ishte armë zjarri dhe se efektivi i policisë në kushte vetëmbrojtje dhe errësire e qëlloi me armë.

Po ashtu, në shumë media qarkulloi lajmi se në afërsi ku ndodhi ngjarja u gjet dhe një pistoletë që dyshohej se i përkiste 25-vjeçarit. Por ky version u rrëzua nga familjarët të cilët deklaruan me bindje se djali i tyre nuk ka pasur armë, ndërsa banorët e tjerë kanë deklaruar se rruga ka ndriçim. Në këtë mënyrë bie poshtë versioni i policisë, e cila deklaroi se efektivi e qëlloi të riun në kushte të errësirës.

Disa orë më vonë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave pas hetimeve të kryera ka konstatuar se efektivi i policisë që vrau 25-vjeçarin Rasha, ka vepruar në shkelje të ligjit, pasi nuk ka qenë në kushtet e vetëmbrojtjes dhe për këtë arsye ai u arrestua./ Opinion.al

Share: