Home KRYESORE Reportazh pa vajtur…

Reportazh pa vajtur…

Nga Edison Ypi

Tani që pa vajtur në dyqan mund të blesh në Internet, pa vajtur në shkollë mund të marrësh diplomë, pa vajtur në punë mund të marrësh rrogë, pse të mos bësh një reportazh pa vajtur atje ku ka ndodhur, për shembull, një vrasje.

I dha dorën për ta përshëndetur, tjetri dorën ja la varur, një t’i ngulur thikën.

Fshat, vrasje, dorë, zemër, varur.

Kombinim i mirë për të bërë një reportazh pa vajtur.

Me vajtur e bëjnë të gjithë.

Zotësia është reportazhin ta bësh pa vajtur.

Ja si bëhet reportazhi pa vajtur,

Rruga duhet paraqitur e vështirë, e lodhëshme. Majtas-djathtas rrugës tokat janë të papunuara. Kalimtarë me sy të përgjakur, si vrasësa. Fshatarë të rreckosur të uritur gati për të ngrënë njëri-tjetrin. Lula të vocërr me grushta shtrënguar. Dyqane që shesin me lista. Rinia përtyp fara. Njerëz me nofulla shtrënguar gati për tu organizuar në njësite guerrile për të bërë atentate dhe për të nisur revolucionin. Zemërata popullore zjen. Kavaja si Bagdadi. Rrogozhina si Kandahari. Lushnja si Kabuli.

Në fakt rruga deri te vrasja është autostradë plot me kafenera dhe restoranta dhe banorë lokalë ose udhëtarë që hanë male mishi, patatate të fërguar, gjëndra viçi, dhe pinë raki me opingë. S’ka asnjë centimetër tokë të papunuar. Qytetet janë më se normale. Qytetarët nuk mbajnë pare xhepi por karta krediti. Por për të qënë mediatikisht korrekt, dhe sidomos për të treguar se bërja e një reportazhi është një mundim i madh, tabloja duhet paraqitur e kundërt me realitetin.

Me të arritur në fshat, në reportazhin e bërë pa vajtur, duhet thënë qartë që në fillim se ai fshat ishte “larg” dhe vajtja ishte “tepër e vështirë”. Kurrsesi nuk duhet thënë ku pikërisht ndodhet fshati, ku ka bërë vaki vrasja, sa larg nga qyteti, a së paku sa larg nga deti. Këto mungesa janë të domosdoshme që reportazhi të mbulohet nga një tis misteri, në mënyrë që lexuesi të lodhet pak me imagjinatën e vet, t’i hedhi sytë mbi ndonjë hartë ose ta kërkojë fshatin në Internet, dhe jo t’i jepet gjithçka llokum në gojë.

Në një reportazh që bëhet pa vajtur, përderisa atë që ka ndodhur e dinë të gjithë, e rëndësishme është atyre të gjithëve tu paraqesësh sikur ka ndodhur atë që nuk ka ndodhur.

Vrasësi dhe i vrari nuk duhen cilësuar si “dy banorë”, apo “dy fshatarë”, apo “dy njerëz”, por “dy shtetas”, pra si dy numura, dy vegla, dy hunj gardhi. Ky cilësim idiotesk duhet bërë i tillë për të qënë sa më i kuptueshëm për shumicën, pra për ata që e vrasin kohën duke parë filma me Sigurim dhe portrete të kurvit mbi mur, të cilët shoshoqin nuk e perceptojnë dot ndryshe veçse si në ato filma, pra si turmë, si bagëti, pa pronë, pa vetdijë njerëzore, pa besim në Zot, pa asgjë, bosh.

Sa i përket dinamikës së tragjedisë, zgjatjes së dorës nga njëri shtetas dhe lënies së asaj dore varur nga tjetri shtetas me këtë detaj duhet bërë kujdes. Duhet pasur parasysh se është padrejtësi e pafalëshme tjetrit t’i japësh diçka dhe tjetri të mos të japi asgjë. Për më tepër dorën, duke ta lënë atë varur. Në këtë këndvështrim, fajtor duhet bërë shtetasi që u vra.

Por po ta shohim nga kënd tjetër; Nëse po ai shtetas që i zgjati dorën tjetrit shtetas, me po aq menjelehtësi t’i kishte dhënë, ta zemë, jo dorën por paret, dhe shtetasi që do t’i merrte paret, në këmbim të pareve të mos jepte asgjë. Po të kishte ndodhur kjo, me të drejtë, shtetasi që mori paret dhe nuk dha asgjë, do ta kishte hak të hante, jo vetëm thikën në zemër, por edhe shtizën në sy, sharrën te këmbët, kazmën në kurriz, sqeparin prapa kokës. Në këtë këndvështrim të dytë, në këtë reportazh të bërë pa vajtur, fajtor duhet paraqitur shtetasi që vrau.

Fakti se në këtë reportazh pa vajtur nuk kemi të bëjmë me vrasje për mosdhënie paresh por për mosdhënie dore, provon katërcipërisht karakterin idealistik të tragjedisë. Çka bën të detyrueshme që famijet e dy shtetasve, edhepse nuk ishin dashnorë, duhen paraqitur si Montegë dhe Kapuletë.

Mjeti i vrasjes, thikë, hanxhar, sqepar, lopatë, bel, shat, çifte gjahu, teke gjahu, shotgun, Kalashnikov, llokum dinamiti, pako tritoli, secili veç e veç ose të gjitha bashkë, mund të zgjidhen lirshëm sipas preferencave të atij që shkruan reportazhin pa vajtur.

Rëndësi ka gjithashtu që në atë fshat të takohet medoemos ndonjë mësues në pension, ndonjë nga ata gërrxhot injorantë llapaqena grafomanë që shkruajnë historikun e fshatit.

Nuk mund të lihet pa u takuar gjithashtu veterani i fshatit, pra spiuni që fshatit i ka punuar qindin.

Po të zuri syri ndonjë depo gjigande prodhimesh bujqësore ose blegtorale, a ndonjë serë, sakën se i afrohesh, të piu e zeza po hyre brenda, reportazhin pa vajtur nuk do ta lexojë askush. Nëpër fusha ka depo dhe sera me qindra. Por në reportazhin e bërë pa vajtur ato nuk duhet të ekzistojnë. Shqipëria po vuan për bukën e gojës.

Po lëngon, rënkon, qan, uluret nëpër reportazhet e bëra pa vajtur.

E pse të harxhosh kot naftë, pse të lodhesh e të bezdisesh nga një mijë vështirësi të rrugës duke vajtur kot së koti nëpër fshatra për të mësuar gjëra të ditura ? Tani që gazetarët tranzicionalë po dalin në pension pa dalë kurrë nga redaksia për të parë ndonjë fshat, kur ndër ta ka plot pa sy por që shohin, pa veshë por që dëgjojnë, pa dituri por që flasin, pa tru por që mendojnë, pa talent por që shkruajnë, pse të mos e shpërthesh fantazinë duke e bërë reportazhin, pa vajtur.

Share: