Home Gjeo-Ekonomia “Kemi parë një fije shprese”, Dr. Fauci optimist për 1 milion vaksinime...

“Kemi parë një fije shprese”, Dr. Fauci optimist për 1 milion vaksinime në ditë kundër Covid-19

SHBA së shpejti mund të jetë në gjendje të bëjë 1 milion vaksinime në ditë, pavarësisht nga fillimi i ngadaltë, tha të martën Drejtori i Instituteve të Sëmundjeve Alergjike dhe Ngjitëe, Dr. Anthony Fauci.

Dr. Fauci paralajmëroi se javët e ardhshme do të jenë edhe më të rënda.

Ritmet e ngadalta të vaksinimit kanë krijuar irritim në radhët e zyrtarëve dhe popullatës. Deri të hënën vetëm 1/3 e sasisë së vaksinave që kishin marrë shtetet ishte vënë në përdorim për fushatën e imunizimeve.

“Nuk është e pazakontë që një fushatë e tillë krejt e re të fillojë me ritme të ngadalta. Po ashtu, vaksinimi filloi në mes të sezonit të festave, kur shumë nga klinikat nuk ishin në kapacitetin maksimal të operimit. Të shohim pas 1 jave apo 10 ditësh deri nga mesi i janarit. Shpresoj se do të jetë përshpejtuar ritmi,” tha ai.

Dr. Fauci e cilësoi realist dhe të realizueshëm objektivin e presidentit të zgjedhur Joe Biden për 100 milionë vaksinime brenda 100 ditëve të para të administratës së tij.

“Kemi parë një fije shprese, pasi gjatë 72 orëve të fundit janë bërë 1.5 milionë vaksinime, pra gjysmë milion vaksinime në ditë. Pra, nëse është e realizueshme që të bëjmë 500 mijë vaksinime në ditë në kushte jo ideale, mendoj se është e arritshme të bëjmë 1 milion, madje edhe më shumë vaksina në ditë në të ardhmen,” tha Dr. Fauci.

Ky objektiv ka një numër sfidash përpara, si problemet që po hasin shtetet në terren. Dr. Fauci vuri në dukje spitalet e mbushura me pacientë në Kaliforni si dhe personelin e lodhur dhe të mbingarkuar që para fillimit të sezonit të festave.

Administrata e Presidentit Trump ishte zotuar të furnizonte shtetet me vaksina të mjaftueshme për të vaksinuar 20 milionë vetë brenda dhjetorit. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, afërsisht 4.6 milionë doza janë bërë deri tani nga 15 milionë doza që ishin shpërndarë deri të hënën në mëngjes.

Dr. Fauci beson se me hapjen e sallave të konferencave, stadiumeve dhe farmacive për fushatën e vaksinimit do të përshpejtohet shumë ritmi i imunizimeve kundër COVID-19. Me këto masa, efekti i vaksinimit mund të fillojë të ndjehet që në fillim të pranverës, por së paku nga fillimi i vjeshtës “njerëzit do të fillojnë kthimin në një farë normaliteti,” tha eksperti.

Share: