Agron Malaj është një nga dëshmitarët e rendësishëm të asaj që ndodhi në 21 janar 2010 para kryeministrisë ku gjatë demonstratës mbetën të vdekur 4 persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë nga plumbat që dolën prej armëve të Gardës së Republikës.
Ky i fundit rrëfeu mbrëmë në “Real Story” versionin e tij të ngjarjes dhe se çfarë urdhri i mbërriti në kufje teksa shërbente me grupin e tij brenda “gardhit të jashtëm” të kryeministrisë.
Ky është rrëfimi i parë i plotë, ndërsa Malaj cek edhe një moment delikat të komunikimeve në radio, të cilin gazetari Artan Hoxha i kishte kërkuar prej kohës që ta bënte publike.
Përmes një postimi pak ditë më parë, Hoxha shkruan se “nëse Agron Malaj do të tregonte se çfarë urdhri i erdhi në kufje atëherë do të zbuloheshin shumë të pathëna për 21 Janarin“.
Në këtë intervistë, Malaj tregon se në kufje i vinte shpesh urdhri për “të hapur Zjarr”, por se ai i kishte udhëzuar vartësit e tij që të “kishin kujdes me përdorimin e armëve të zjarrit”.
Më poshtë, rrëfimi i tij i plotë
“Njësia speciale u njoh më datë 20 janar me planin e komandës së Gardës së Republikës. Në datë 21 janar, ora 9:00, bëmë vendosjen e mjeteve dhe vendosjen e grupeve. Ishim të vendosur në portat 1 dhe 2, grupi i seksionit tim; kishim grup snajperësh te Kryesia e Kuvendit dhe Kullat Binjake, kishim edhe grup evakuimi.
Por prisnim në mjete deri rreth orës 10:00, kur u agravua situata. Më pas patëm thirrje për vendosje. Shkuam pa skafandra dhe mjete mbrojtëse, fillimisht.
Ishim të pozicionuar te Ministria e Financave, pas marrjes së urdhrit u pozicionuam në 2 pika, te porta nr.1 (ku ndodhën edhe ngjarjet), së bashku me njësinë e 3-të, dhe te porta nr.2. Në atë moment ne ishim në mbështetje të batalionit nr. 2 të Gardës. Kur u agravua situata, forcat e batalionit 2 u tërhoqën dhe braktisën shërbimin, dhe mbetëm forcat speciale dhe disa oficerë.
Patëm goxha kundërshti për planin, sepse ne kemi mision të përcaktuar në ligj, të vepronim në grup, jo të ndaheshim si në plan, 2 këtej e 3 andej, por zbatuam planin e Komandës së Gardës. Njësia Speciale ishte për mbështetje ndaj batalionit nr.2, për ruajtjen e Kryeministrisë dhe objektet; Njësia Speciale është për mbështetje që bëjnë batalioni i 2-të apo eskortat… Kështu që vendosja jonë ishte me detyrë ruajtjen e të gjitha anëve të Kryeministrisë asaj kohe.
…Batalioni mund të ketë pasur edhe 300 vetë personel, por Njësia Speciale ka 56-57 anëtarë, që ishim të ndarë…
Ne komunikonim me radio analoge, në komunikim jo vetëm të brendshëm të forcave speciale, por dhe të jashtëm, se hynin dhe njësitë e tjera të Gardës së Republikës, për ruajtjen e objektit dhe personave të rëndësisë së veçantë; ruajtja e materialeve është pjesë e Gardës së Republikës në kanalet e Gardës; ruajtjen e materialeve e bën seksioni në qendrën e Gardës. Ligji e ka të përcaktuar kur gardisti hap zjarr, në nenin 25:
a. kur është në ruajtje të personaliteteve shtetërore
b. ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë
c. roja në vendroje
Kishte shumë tension, pasi patëm debate për vendosjen e Njësisë Speciale, dhe tensioni u shtua pasi një pjesë e forcave ikën dhe mbetëm pak oficerë e pak ushtarë. Pasi edhe forcat e Policisë u çanë nga turma, gjithë pesha ra te forcat e Gardës dhe Garda nuk ka përgatitje për menaxhim ndaj turmave, as Njësia Speciale nuk është e specializuar të merret me turmat e civilëve…
Nuk ka Grup Zjarri Garda, por Njësi Speciale; ky term doli pas datës 22 janar… Ky term është i gabuar. Gjatë hapjes së portës pati një gabim, pasi as nuk u hap nga protestuesit, por nga fotografi i Gardës, për të dokumentuar veprimet e protestuesve. Më pas në rrëmujë ngeli ashtu dhe u shty nga protestuesit. Në momentin e hapjes së portës patëm thyerje të perimetrit të parë të sigurisë. Në kishim 3 perimetra:
1 – porta
2 – teli me gjemba,
3 – pedana
Por një trupë e specializuar edhe turmën duhet ta presë sipas agresivitetit, pra, një turmë pa armë nuk e pret dot direkt me zjarr. Edhe kur hyri makina, prapë nuk mund të hapësh zjarr direkt, pasi hapja e zjarrit ka qenë individuale, pasi ne u bëmë instruktazh trupave (e ka edhe Prokuroria) që zjarri hapet me urdhër, por përgjegjësia e hapjes së zjarrit është individuale.
Ka pasur në radio urdhra për ZJARR, por ky urdhër nuk mund të jetë thjesht verbal, pasi kish shumë urdhra në radio në momentet e tensionit dhe personat nuk identifikoheshin. Nëse unë, p.sh, U jap urdhër për zjarr snajperëve që kisha vendosur lart, duhet të identifikohesha me kodin tim.
… Pati urdhër ZJARR, por nuk dihej nga vinte. Pati një kundërurdhër nga komandanti i Njësisë Speciale, “kujdes me përdorimin e armëve të zjarrit”, për të gjithë oficerët, të cilët përsëritën urdhrin te trupat. Fillimisht u përdor zjarr në ajër me fishekë manovër, pastaj pamë degët që binin dhe konstatuam se po përdoreshin fishekë realë, gjë që duhej t’i kish Njësia Speciale, jo vendrojat, apo radhët e para të ushtarëve. Agim Llupo, kur qëlloi, ishte te dritarja, siç shihet edhe nga pamjet.
Dikush tha në radio: “U HAP PORTA”. Porta ishte diçka “E SHENJTË”. Aty filloi hapja e zjarrit. Në moment bërtita “KUJDES, MOS PËRDORNI ARMËT E ZJARRIT”; ishim edhe të gjithë të maskuar. E kam parë personin që qëllonte, po nuk e dija që ishte Llupo, i cili ishte shef shtabi, pra, eprori im, e nuk i dija vendndodhjen. Në të vërtetë, nga pamjet duket që Llupos i IKU ARMA, pasi automatiku model 55 është shumë i vështirë në përdorim…
Kam pasur komunikim fillimisht me ish-komandantin e Gardës, Arben Cuko. Më pas kam parë Ndrea Prendin, që pati komunikim të rëndë me ish-komandantin e Gardës, Arben Cuko.
E pashë edhe kur u godit me gurë, por ka qenë në lëvizje. Unë urdhra direkt nga Ndrea Prendi nuk kam marrë, pasi marrim urdhër vetëm nga komandanti ynë. Nuk kam marrë urdhra të drejtpërdrejtë nga Ndrea Prendi, pata vetëm një pamje vizuale që të organizohet Njësia Speciale, por ne nuk marrim urdhër nga Komandanti i Gardës.
Ne marrim urdhër nga komandanti ynë, se s’mund të zbatohen urdhra verbalë; mund të çmendet dikush e të japë urdhër për zjarr e të bëhet skandal i madh… Se ku ndodhen provat, nuk mund t’i them, se nuk është çështje që më takon.
Unë kam pasur 3 çifte snajperësh, pra, të shoqëruar me nga një ndihmës snajperist. Kemi pasur komunikim për 1 person që mund të kishte armë brezi, që duhet të jenë fotografuar, po unë fotografi nuk kam. Urdhri ka qenë të rrinë në pritje, pasi armët e snajperistëve mund të bëjnë shumë dëm në turme dhe ne nuk kishim agresorë me armë në dorë duke hapur zjarr drejt objektit.
Aty duhej të ruhej qetësia dhe të përballoje pjesën e operacionit. Gjatë planit që bëmë në dt. 20 janar, patëm informacion nga Policia e Shtetit, ku thuhej se gjatë lëvizjes së Kryeministrit, nga Kryeministria për në banesë, mund të kishte ATENTAT.
Ne morëm masa me 2 blindat e Policisë Ushtarake që i kishim brenda Kryeministrisë, për t’i pasur gati për evakuim, por ai qëndroi aty dhe nuk lëvizi nga Kryeministria.
Pati 2-3 tentativa për të bërë evakuimin e Kryeministrit. NUK PRANOI. Megjithëse mjetet ishin gati. Nëse Kryeministri do të evakuohej, ne do ta shoqëronim për në banesë. Në qoftë se do kishte një urdhër të dytë, mund ta çonim në Gardën e Republikës, ose në Pallatin e Brigadave…
Me Kryeministrin nuk kam pasur komunikim direkt, vetëm me komandantin e Njësisë Speciale. Jam ngjitur 1 herë në katë të 2-të, kur u përgatit një plan evakuimi, ku kam parë ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë së Shtetit dhe Komandantin e Gardës, në hollin e Kryeministrisë; po debatonin, kish tension në biseda. Basha ka qëndruar tërë kohën në Kryeministri, duke lëvizur në pozicione të ndryshme nëpër godinë.
Procesi gjyqësor ndaj meje pati një handikap të madh. Si fillim, u akuzua tërë hierarkia e Gardës së Republikës; hap pas hapi, erdhën deri te Njësia Speciale, kur doli se personi që kish qëlluar, ishte shefi i shtabit të Njësisë Speciale, Agim Llupo.
Hetimet u shtrinë te Njësia Speciale, që ishim ne. “Grup Zjarri” si term doli aty dhe u përqendrua edhe tërë fokusi i hetimeve. U morën armatimet, instruktazhet, organizimi dhe unë deklarova edhe në Prokurori që, qoftë edhe sikur 1 efektiv i vetëm i imi të ketë hapur zjarr ndaj protestuesve, do të jem bashkëfajtor edhe unë me të.
Por doli që asnjë nga efektivët e seksionit 4, siç quheshim ne, nuk kishte kryer asnjë vepër penale. Qe termi “Grupi i Zjarrit”, që ne na bëri me ngjyrë, edhe se nuk ishim Grup Zjarri.
Ky qe një denigrim që na u bë edhe nga mediat. Prokuroria në sallë të gjyqit bëri lirimin e menjëhershëm timin, pas kontrollit balistik të armëve, dhe më pas u liruan të tërë efektivët e njësisë 4; të gjithë dolën të pafajshëm… Sepse asnjë nga ata nuk kish qëlluar me armë.
Kemi një të akuzuar, Komandanti i Gardës së Republikës; edhe nga balistika doli që kish kryer një vepër penale. Ne u përdorëm për të humbur gjurmët, si KURBAN…
Ne nuk kemi ditur që ka pasur pasoja, vetëm në komunikimin me Arben Cukon, më tha: “Agron, kanë ndodhur ngjarje, ka pasur problem”, por pa sqaruar. Në makinë kemi dëgjuar në radio që ka pasur vdekje dhe plagosje.
Dhe për ne qe shok, se nuk e kishim kuptuar. Kur u kthyem, bëmë dorëzimin e armatimit, patëm takim të ngushtë me oficerët, dorëzuam librat e shërbimit. Kur u hap dera në Kryeministri, pati dyndje e veprimtari të armëve të zjarrit, dhe goditje me gurë nga protestuesit; një pjesë e madhe e efektivëve u larguan nga pozicionet e tyre, për te Ministria e Financave dhe mbetëm rreth 17 veta.
Pse ikën ata është përgjegjësia e tyre. Braktisja e pozicioneve është shumë e shëmtuar dhe duhet të kish hetim.
Pati problematika edhe te trupat e FNSH-së, sepse me gjithë agresivitetin e turmës nuk justifikohet braktisja e pozicioneve… Garda ka një shërbim analize dhe shërbim mediash, që filmon tërë veprimtarinë e një operacioni. Dhe është sektori i analizës që bën analizimin e gjithë ngjarjes.
Duhet ta kenë bërë… Po ne nuk kemi informacion. Ne na mbanin në tension, nga do arrestoheni, deri te duhet të largoheni. Ia kam thënë dhe Ndrea Prendit, që thuhet se do na arrestojnë. Tha: “Nuk di nga këto gjëra, secili do mbajë përgjegjësi individuale…”.
Na erdhën urdhërarrestet. U arrestuam 4 persona, të etiketuar si GRUP ZJARRI, kur ne ishim 12 veta në atë seksion. Ky emërtim u shpik, doli, u krijua, u montua dhe u hap.
Për mendimin tim, efektivët e Gardës nuk mund të hapin zjarr me dashje, pasi edhe në ligj është e përcaktuar që nuk mund të hapësh zjarr ndaj një turme pa armatim. Mendoj që ka pasur trysni ndaj njerëzve që e hapën zjarrin, trysni psikologjike. Mendoj që është një pakujdesi.
Se, me dashje, do kishin bërë masakër. Prokuroria u fokusua te Garda e Republikës; mendoj që ka qenë orkestrim ndaj nesh. Në media kam parë se ka dalë që Komandanti i Gardës ka bërë ndërrimin e tytës së armës së tij me shoferin, veprim ky skandaloz i një ushtaraku.
Ne e vuajtëm në kurriz këtë… Emri im edhe sot përdoret nga opozita. Ngjarja nuk mund të quhet e pazbardhur, pasi ka 2 autorë.
Mund të kenë pasur presione të ndryshme. Duhet parë pjesa e regjistrimeve të komunikimeve të Gardës së Republikës. Duhen parë komunikimet mbi urdhrat që janë dhënë atë ditë dhe të identifikohen zërat… Ka pasur urdhër ZJARR, por zjarr mbi turmën? Apo në ajër? Pati një çorientim të madh.
Mendoj që ka qenë orkestrim ndaj nesh. Në media kam parë që ka dalë që Komandanti i Gardës ka bërë ndërrimin e tytës së armës së tij me shoferin, veprim ky skandaloz i një ushtaraku. Ne e vuajtëm në kurriz këtë…. Emri im edhe sot përdoret nga opozita.
Procesi gjyqësor ndaj meje pati një handikap të madh. Si fillim u akuzua tërë hierarkia e Gardës së Republikës. Hap pas hapi, erdhën deri tek njësia speciale, kur doli personi që kishte qelluar, që ishte Shefi i Shtabit të Njësisë Speciale, Agim Llupo. Hetimet u shtrinë te njesia speciale që ishim ne. “Grup Zjarri” si term doli aty, dhe u përqëndrua edhe tërë fokusi i hetimeve. U morën armatimet, instruktazhet, organizimi. Unë deklarova edhe në Prokurori që, qoftë edhe 1 efektiv i vetëm i imi nëse do të ketë hapur zjarr ndaj protestuesve, do të jem bashkëfajtor edhe unë me të. Por doli që ASNJË nga efektivët e seksionit 4 siç quheshim ne, NUK KISH KRYER ASNJË VEPËR PENALE. /abcnews.al