Home KRYESORE Specialja refuzon kërkesën për lirimin e Thaçit, Krasniqit e Selimit

Specialja refuzon kërkesën për lirimin e Thaçit, Krasniqit e Selimit

Gjykata Speciale e Hagës ka refuzuar kërkesat për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou i ka cilësuar si të pamjaftueshme argumentat e avokatëve për ish-krerët e UÇK.

Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Salih Mustafës, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt kishin bërë kërkesa që t’i lirojnë klientët e tyre, duke i ofruar Gjykatës Speciale kushte me të cilat ajo do të sigurohej se ish-krerët e UÇK-së nuk do të arratiseshin dhe se nuk do të ndikonin në procesin kundër tyre.

Në parashtresat e kryeprokurorit special, Jack Smith, pretendohet se ekziston rreziku që ish-pjesëtarët e UÇK-së të arratisen, të ndikojnë në dëshmitarë ose ta kryejnë ndonjë krim. Prokuroria në parashtresat kundër të akuzuarve po ashtu thekson pretendimin e saj se ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, të cilët thuhet se ish-krerët e UÇK-së kanë mundësi që t’i heshtin.

Kujtojmë se që prej nëntorit Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli gjenden në paraburgim të Hagës të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës dhe në vitet e para të pasluftës. Ata janë njohur me akuzat ndërkohë që gjyqi mund të zgjasë me vite.

Share: