Është shtyrë sërish seanca për dosjen “184” të Dibrës. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë një kërkesë e Partisë Demokratike për ndryshimin e gjyqtarit. Ndërkohë që togat e zeza kanë vendosur që seanca e radhës të mbahet në datën 12 shkurt në orën 11:00.
Në seancën e së premtes pritej që gjykata të vendoste nëse dosja do të kalonte për gjykim, apo do ti kërkohej prokurorisë të kryente veprime të tjera hetimere.
Dosja 184 kaloi të paktën 4 herë nga prokuroria e Dibrës në Prokurorinë e Posaçme në Tiranë, por në fund SPAK shpalli moskompetnecë dhe hetimet i përfundoi Prokuroria e Dibrës, e cila ka marrë të pandehur 4 persona. Robert Aga që mbante postin e shefit të Komisariatit të Dibrës, i cili do të përballet në gjykatë me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Me të njëjtën akuzë do të përballet edhe ish-Drejtori i Arsimit Drini Gjeci si dhe Nuri Meda, zyrtar në njësinë administrativë Tomin. Ndërkohë një tjetër zyrtar i vënë nën akuzë është edhe Hasan Hoti, por për këtë të fundit hetuesit kanë ngritur akuzën e kanosjes në zgjedhje.
Ndërkohë për pjesën tjetër të personave nën hetim Dionis Imeraj, Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi dhe Afrim Mikli, është kërkuar më 18 dhjetor pushimi i çështjes dhe tani i takon gjykatës të japë vendimin e saj nëse do pranojë këtë hetim apo do e rikthejë sërish në Prokurori./Opinion.al