Home Gjeo-Ekonomia Kosova dhe Izraeli më 1 shkurt vendosin marrëdhënie diplomatike

Kosova dhe Izraeli më 1 shkurt vendosin marrëdhënie diplomatike

Më 1 shkurt 2021 Kosova dhe Izraeli do të firmosin vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes njëra- tjetrës.

Lajmi është bërë i ditur nga ministria e Jashtme dhe e Diasporës në Kosovë, përmes një njoftimi zyrtar.

Firmosja zyrtare e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike do të bëhet nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi.

“Republika e Kosovës po hyn në një etapë të re historike me shtetin e Izraelit. Shtetësia dhe subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës po konsolidohet fuqishëm”, citohet në njoftim.

Ndër të tjera ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla ka shprehur mirënjohjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, citohet të ketë thënë shefja e diplomacisë kosovare, duke shtuar se Kosova është përjetësisht mirënjohëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kujtojmë që më 4 shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Me këtë marrëveshjen të nënshkruar në Washington Kosova është zotuar se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe se do ta hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem./Opinion.al

Share: