Vjedhja e llogarive të WhatsApp është kthyer këto kohë në një shqetësim për shumë përdorues në Shqipëri, ndërkohë që një ditë më parë, Policia e Shtetit u bëri thirrje qytetarëve të tregohen të kujdesshëm përballë këtij fenomeni.
I ftuar në emisionin “Opinion”, eksperti Gentian Progni, ka shpjeguar se si funksionon ky proces. Ai tha ndër të tjera se sipas informacioneve që posedon, vjedhja e llogarive dhe të dhënave në WhatsApp ka lidhje me zgjedhjet, pasi sipas tij po sulmohen llogari të gazetarëve dhe personave që lidhen me politikën.
Pjesë nga intervista në studio
Progni: Nuk është rastësi që po vidhen informacione para fushatës. Unë kam informacion se të dhënat që po vidhen do të përdoren gjatë fushatës për të denigruar imazhe publike ose kandidatë.
Fevziu: Bëhet fjalë për vjedhje të WhatsApp-it apo materialeve që gjendne në të?
Progni: Bëhet fjalë për vjedhjen e materialeve.
Fevziu: E zbrazin WhatsApp-in apo ti je në posedim dhe nuk e kupton?
Progni: Janë të dy metodat. Për personat që e kuptojnë ata bëjnë bllokimin total të WhatsApp-it, bën crash automatikisht kur hap një mesazh bllokohet ose telefonatat nuk i merr dot. Metoda tjetër është që e përdor normalisht WhatsAppin, por të gjithë bisedat kopjohen.
Fevziu: Policia thotë që nuk mund të bëhet pa bashkëpunimin e poseduesit…
Progni: Tek kjo foto, mesazhi i parë që vjen është ky sms që thotë për të aktivizuar WhatsAppin ju kam dërguar këtë kodin.
Ky mesazh mund të vijë edhe nga një person që ti e ke kontakt. Të vjen ky mesazh që thotë: të kam dërguar një mesazh me kod 6 shifror gabimisht, mund ta transferoni tek unë? Në shumicën e rasteve është bërë ky gabim, është dërguar kodi.
Mesazhi është i virusuar dhe kjo i shkon hakerit.
Fevziu: Nëse unë i shkruaj një mesazh me tekst?
Progni: Atëherë nuk ka problem.