Ekspertët: Përmirësoi menjëherë gjendjen e pacientëve
Teksa e gjithë bota i ka sytë nga vaksinat për frenimin e Covid-19, mjaft shpresë po jep një ilaç sprai i krijuar nga shkencëtarët izraelitë. Bëhet fjalë për ilaçin e quajtur EXO CD24 që po eksperimentohet në spitalin Içilov të Tel Avivit, ndër më të mëdhenjtë në Izrael.
Një ndër drejtuesit e eksperimentit profesori Nadir Arber, ekspert në fushën e onkologjisë është shprehur për mediat italiane se në një provë klinike të kryer tek 30 pacientë me Covid-19 në gjendje të rëndë shëndetësore, 29 prej tyre patën përmirësim të menjëhershëm.
Arber shpjegon se ilaçi ka në përbërje një lloj Sialoglicoproteine të njohur ndryshe si CD24, që ka ndikim të fortë në qelizat imunitare.
“Kjo proteinë frenon prodhimin e tepruar të Citokinës dhe anti-trupave e anti-inflamatorëve të tjerë. Është pikërisht ky reagim i tepruar i trupit tonë që shkakton në vdekje në shumicën e rasteve”.
Ilaçi merret nga hunda me spërkatje. Ai po shihet me interes nga shumë vende të botës. Edhe pse është ende në faza eksperimentale, presidenti brazilian Zhair Bolsonaro u ka kërkuar autoriteteve të përshpejtojnë procedurat për miratimin për përdorim të EXO CD24.
Tv Klan