Home KRYESORE Mbipesha ndikon numrin e vdekjeve prej Covid-19

Mbipesha ndikon numrin e vdekjeve prej Covid-19

Federata Botërore e Obezitetit ka publikuar një studim që sugjeron se niveli i vdekjeve nga COVID-19 është rreth dhjetë herë më i lartë në vendet ku gjysma ose më shumë e popullsisë janë mbi peshë.

Raporti flet për një lidhje ‘dramatike’ mes peshës trupore dhe gjasave për të pasur një infeksion më të rëndë nga COVID-19. Nga 2.5 milionë vdekje prej COVID-19 të raportuara deri në fund të shkurtit 2021, 2.2 milionë ishin në vendet ku mbi 50% e banorëve klasifikohen si mbipeshë.

Studimi analizoi shifrat globale të vdekjeve prej COVID-19 nga Universiteti Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara dhe të dhënat e Observatorit Global të Shëndetit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për mbipeshën.

“Njerëzit obezë vuajnë, sepse nuk kanë mundësi të marrin trajtimin e tyre, ata nuk mund t’u nënshtrohen operacioneve, dhe kanë probleme për t’u vizituar nga mjekët e tyre,” tha për DW Drejtoresha e Shkencës dhe Programeve të Federatës Botërore të Obezitetit, Olivia Barata Cavalcanti.

Autorët e studimit thanë se nuk kishte asnjë shembull prej ndonjë vendi ku norma e mbipeshës është përgjithësisht e ulët dhe numri i vdekjeve nga COVID-19 i lartë.

“Vende si Japonia dhe Koreja e Jugut, që kanë nivele shumë të ulëta vdekjesh nga COVID-19, janë vende që kanë dhe nivele shumë të ulëta të mbipeshës tek të rriturit,” tha Tim Lobstein, ekspert pranë Federatës Botërore të Obezitetit, një nga bashkëdrejtuesit e studimit. Ai shtoi se: “Ata i kanë dhënë përparësi shëndetit publik përkrah një sërë masash të tjera, përfshirë peshën e popullsisë, dhe kjo ka dhënë rezultate në pandemi.”

Autorët pranuan që nivelet e vdekjeve nga COVID-19 ndikohen edhe nga faktorë të tjerë, për shembull pasuria relative e një vendi, struktura e moshës dhe shpejtësia e përhapjes së virusit në vend.

Share: