Home KRYESORE Në spital apo në kuvend, ku vlen më shumë doktoreshë Najada?

Në spital apo në kuvend, ku vlen më shumë doktoreshë Najada?

Nga Manjola Bregasi-

Kandidimi i shefes së infektivit Najda Çomo në listat e Partisë Socialiste ishte lajmi surprizë i këtyre ditëve, ku në fakt surprizë po tingëllon e gjithë fushata, në të cilën më shumë se sa me grintë dhe ambicie qeverisëse, forcat politike po garojnë me videoklipe populiste të denja për çdo show girl a show man.

Dhe brenda kësaj surprize, ajo e doktoreshës duket më e bukura, të paktën vizualisht.

Një profesioniste, mjeke, pedagoge me një përvojë të gjatë në fushën e saj, shihet në listën e kandidatëve. Dhe sigurisht në parlamentin e “kërpëratave” dhe “të kaçurelsave që pinin më shumë uiski se ujë”, mjekja Çomo do dukej patjetër një gjetje pikante. Edhe në listën e re të Ramës (të paktën në çfarë flitet deri më tani), personalisht emrin e doktoreshës do e preferoja mbi emrat e opozitës së re të kuvendit, që pasi tradhtuan partitë nga erdhën, u mbështollën nën strehën e rilindjes.

Rastësisht ose jo, brenda një dite doktoreshë Najada ja doli të merrte më shumë vëmendje se rripi i sigurimit të Lulzim Bashës apo se kërcimi modern i Elisa Spiropalit. Kandidimi i doktoreshës që nuk i tha jo ofertës së kryeministrit mbushi shumë shpejt rrjetet sociale, me meme, kritika a pëlqime, secili sipas këndvështrimit të vet.

E ndërsa pandemia vuri në dukje imazhin e saj për shkak të pozicionit që mbante ne spital, ajo që mbetet e paqartë është nëse Rama shfrytëzoi emrin e doktoreshës si bonus për partinë në zgjedhje, apo preferencat partiake të saj kanë qenë aty edhe kur kryente detyrën e shefes së pavijonit, apo edhe kur opozita akuzonte për një menaxhim jo të mirë të situatës Covid?

A është doktoreshë Najada një emër që vlen të lakohet në listën e PS? Sigurisht për momentin po, edhe për faktin se është ndër të paktat prurje të reja, të bëra deri tani publike.

Por nëse Najada Çomo vlen më shumë në spital apo në kuvend mbetet për t’u parë!

Share: