Nga Dylber Balla
Shkrimtarja e njohur Flutura Açka është risia e listave të PD-së për kandidatët për deputetë. Ajo pritet që të kandidojë në qarkun e Elbasanit. Por përse e pranoi ftesën dhe cfarë synon që të realizojë me kalimin në politikë?
Flutura Açka në një intervistë për Abcnews.al rrëfen se ftesën për t’u bërë pjesë e PD-së ia ka bërë vetë Lulzim Basha. Por shton se ende nuk mund të flasë konkretisht për qarkun ku do të kandidojë dhe numrin në listë. “Nuk e di akoma me thënë të drejtën.
Për respekt të procedurave nuk mund të flas shumë hollësira. Jam rrugës për në Prishtinë. Nuk varet nga dëshira e njërit dhe tjetrit, janë cështje kolegjiale, grupi, varet si vendos partia, partia është e para. Janë gjëra që bëhen më me mençuri, nuk vendos njëri apo tjetri” tha ajo.
Por cfarë e shtyu që të pranonte? “Them se kam maturi të mjaftueshme ta bëj këtë hap. Jam në një moshë, stad të jetës që mund të marr vendime të tilla dhe besoj se nuk janë të nxitura. Dhe mund të shërbej. Opozita është afër vokacioneve të mia. Atë projekt që ka lançuar është afër asaj që shkon me dëshirat e mira” tha ajo për Abcnews.al.
E pyetur nëse beson se do të ketë të njëjtin sukses edhe në politikë, ajo shprehet optimiste “Përderisa ka pasur shkrimtarë shumë të mirë që janë marrë me politikë dhe kanë dhënë në politikë, pse jo? Ka shembuj shumë të mirë. Ka shumë figura në mendjen time që kanë kontribuar për demokracinë”.
Por cili është objektivi i shkrimtares së njohur nëse zgjidhet deputete? “Unë kam një, nëse, thjesht ka të bëj me projektet e mira si njeri, nuk ka të bëjë që të jesh patjetër në politikë, projektet mund ti kesh edhe si njeri i letrave.
Kam edhe unë projektet e mia, që nëse bëhet e mundur, që këto gjëra ti rekomandoja si ide. Në të mirë të qytetarëve dhe një gjëje më të përbashkët” përfundoi ajo./ db/ Abcnews.al