Nga Gladiola Jorbus
Letrat janë fjalët e shpirtit që fluturojnë në kohë.
Të shkruash një letër, do të thotë të mendosh për marrësin, për reagimin dhe ndjesitë e tij.
Ekziston një çast pauze, në kërkim të një ekuilibri midis së pashprehurës, dhe asaj që do të përjetësohet në letër e do të mbetet kujtesë.
Në epokën ku jetojmë, komunikimi i menjëhershëm i mundësuar nga rrjetet sociale, emaili etj., ka zëvendësuar rolin e letrave. Shpeshherë, ato evokojnë një botë që nuk përkon me algoritmet e shekullit XXI.
Epistologografia (nga greqishtja ἐπιστολή, “letër” dhe γραφία, “shkrim”) është një veprimtari letrare që konsiston në shkrimin e letrave, të cilat shërbejnë për të kuptuar më mirë biografinë, jetën dhe punën e një artisti, të një ngjarjeje apo periudhe të caktuar historike.
P.sh.: në një letër dashurie shprehen ndjenjat në formë të shkruar, të cilat lëvizin sipas një diapazoni të gjerë emocionesh: përkushtim, zhgënjim, lëndim, mall, zemërim, kryeneçësi, padurim, autokritikë apo dorëzim. Letrat e dashurisë kanë qenë një shfaqje e ndjenjave dhe e perceptimeve që nga lashtësia, duke evidentuar kështu se dashuria nuk njeh as kohë, as moshë, as tabu. ‘Produkti më i sinqertë, më i lirë dhe më personal i mendjes dhe zemrës njerëzore është një letër dashurie’, thoshte Mark Twain.
Por cilat janë disa nga letrat më të bukura që dokumentojnë histori të vërteta romantike ?!
Midis Franz Kafkës dhe Milena Jesenkës (gazetare dhe shkrimtare 1896-1944) lindi një histori e rëndësishme dashurie, si dëshmi e së cilës shërben korrespondenca e dendur mes tyre. Ata u takuan në vitin 1919, kur Milena i propozoi shkrimtarit të ishte përkthyesja e tij, për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Pas rreth një viti, ishte pikërisht Kafka ai që i ndërpreu marrëdhëniet, sepse Milena Jesenkà refuzonte të ndahej nga i shoqi. ‘Ti më përket mua, edhe nëse nuk do të të shoh më kurrë’, i shkruante Franc Kafka – Milenës, në vitin 1920.
Italo Calvino pati një marrëdhënie trivjeçare me aktoren Elsa De Giorgio. Nga korrespondenca e tyre kanë mbetur rreth 300 letra. Në lidhjen e tij jashtëmartesore, gazetari dhe novelisti Calvino tregohet një i dashur pasionant: ‘Sigurisht, dashuria ime për ty lindi si një protestë individuale kundër një klime të nxitur nga një nevojë shumë e thellë, por me një kuptim të përgjithshëm, një mësim për të gjithë, të mos heqjes dorë, nga guximi për lumturinë’.
Roli i Evitës në qeverinë e Peronit vazhdon të analizohet deri më sot, ndërsa historia e saj e dashurisë është plazmuar në libra, filma etj.’ Vetëm kur jemi larg atyre që duam, kuptojmë se sa i duam ata. Që kur të lashë atje, me dhembjen më të madhe që mund të imagjinohet, nuk kam qenë në gjendje të qetësoj zemrën time të palumtur’, shkruante Zonja e Parë argjentinase.
Historia e dashurisë midis Oriana Fallacit dhe Alekos Panagulis përfaqësohet në mënyrë të përsosur nga letrat e dashurisë, të cila tregojnë bashkëpunimin dhe afeksionin që lidhte gazetaren italiane me revolucionarin grek. ‘Një njeri është një krijesë si ti. Je ti’, shprehej Fallaci në njërën nga letrat e saj.
Napoleoni u takua me Jozefinën në vitin 1795. Midis tyre u zhvillua një histori e stuhishme dashurie, ku protagonistë ishin tradhtia, gënjeshtrat dhe lojërat e pushtetit. Por ata të dy shkëmbyen letra, deri pak ditë, para se Jozefina të ndahej nga jeta. ‘Unë zgjohem i mbushur me ty… Ndërkaq, dashuria ime e ëmbël, prano një mijë puthje, por mos më jep asnjë, sepse më djegin gjakun’, shkruante gjenerali brilant.
Edhe pse teknologjia zuri vendin e letrës në zarf të mbyllur, ndjesia dhe kënaqësia që të fal kjo e fundit mbetet e pakrahasueshme. Romancat më të mëdha botërore jehojnë deri në ditët tona pikërisht falë magjisë së letrave, ku të dashuruarit shprehnin ndjenjat dhe dëshirat e tyre më të fshehura për njëri-tjetrin.
Këto fjalë dashurie kanë frymëzuar dhe emocionuar mijëra njerëz në botë.