Home KRYESORE ‘’Qetëso mendjen dhe shpirti do të flasë’’ – Ma Jaya Sati...

‘’Qetëso mendjen dhe shpirti do të flasë’’ – Ma Jaya Sati Bhagavat

MEDITIMI

Nga Gladiola Busulla

Në kulturën perëndimore, ku materializmi dhe konsumizmi sundojnë jetën e shumicës së njerëzve, meditimi shfaqet si një mënyrë për të arritur paqen e brendshme.

Meditimi është ilaçi që shëron stresin, ngarkesat mendore, shqetësimet, tensionin. Ai është një praktikë që ekziston prej mijëra vjetësh dhe mund të kryhet nga kushdo. Mund të jesh në zyrë, në rrugë, në shtëpi, në bar, në bibliotekë dhe gjithsesi të meditosh.

Gjatë meditimit nevojitet të jesh i përqendruar dhe i vëmendshëm në mënyrë që të eliminosh mendimet konfuze. Ky proces mund të rezultojë shumë efektiv për mirëqenien fizike dhe emocionale. Meditimi dhuron ndjesi paqeje dhe qetësie që ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm.

Ndër përfitimet e meditimit rendisim reduktimin e emocioneve negative, rritjen e tolerancës dhe të durimit, përqendrimin tek e tashmja, aktivizim të imagjinatës dhe të krijimtarisë.

Meditimi rezulton i dobishëm sidomos në rastet e sëmundjeve, që mund të përkeqësohen nga niveli i stresit, ndonëse nuk zëvendëson trajtimin tradicional mjekësor.

Kemi disa lloje meditimi:

  1. Meditimi transhedental
  2. Meditimi i mbështetur në mantra
  3. Meditimi kundalini
  4. Meditimi i dashurisë dashamirëse (i mbështetur te miqësia dhe mirësia e pakushtëzuar)
  5. Meditimi Vipassana ( meditim i depërtimit që ju lejon t’i shihni gjërat siç janë në të vërtetë) etj.
    Meditimi të ndihmon të menaxhosh situata të vështira në jetë, të përballosh gjithçka duke mbajtur një qëndrim të hapur dhe duke lënë pas negativitetin. Ai shërben për të kultivuar dhembshuri e ndjeshmëri përmes frymëmarrjes, mantrave, tingujve apo vizualizimit. Praktika mund të bëhet në çdo pozicion komod, qoftë ulur apo mbështetur diku. Meditimi është mënyra më e mirë për të purifikuar dhe ekuilibruar çakrat. (Sipas filozofisë hinduiste, çakrat përfaqësojnë qendrat e padukshme të energjisë në trupin e njeriut. Kur ato janë të bllokuara, shkaktojnë probleme fizike apo emocionale).
    Mësuesi i meditimit Sharon Salzberg thotë se: ‘’Momenti më i rëndësishëm në praktikën tuaj të meditimit është ai kur uleni për ta kryer atë. Pikërisht atëherë kur ju po i thoni vetes që besoni në ndryshim, që besoni në kujdesin ndaj vetes, vërtet e realizoni atë. Ju nuk po i përmendni vlerat si vetëdija apo dhembshuria në mënyrë abstrakte, por po i bëni realitet ato’’. Sipas ekspertëve të kësaj praktike, meditimi nënkupton shmangien nga përjetimet dramatike të ngjarjeve të ndryshme dhe ngritjen e vetëdijes në potencialin më të lartë.
Share: