Home Gjeo-Ekonomia Grenell, viktima ose i vetëofruari i manipulimit Serb të historisë!

Grenell, viktima ose i vetëofruari i manipulimit Serb të historisë!

Nga Prof. Lisen BASHKURTI

Dje pamë në twiter-in e ish diplomatit Amerikan, Richard Grenell t’i uronte Serbëve ‘festën e Vidovdanit’ dhe të ‘vrasjes së heronjve shenjtë si Car Lazari në Betejën e Fushë Kosovës’. Grenell duket qartazi që shpreh simpatinë për historinë, tejet të shtrëmbëruar dhe të manipuluar politikisht nga Serbia lidhur me Kosovën.

Dhe imagjinoni që ky Grenell përfaqësonte Presidentin e ShBA në bisedimet Kosovë-Serbi një vit më parë. Ky ish diplomat Amerikan, si edhe mjaft diplomatë të huaj nëpër botë, është viktimë e mirëfilltë e manipulimit Serb të historisë së Kosovës. Them i manipuluar se mund të jetë edhe i vetëofruar ndaj qasjes Serbe të politizimit të historisë. Por, gjithsesi, pa kurrëfarë paragjykimi po i themi disa fjalë për të vërtetën historike mbi Vidovdanin.

1.Historia

Beteja e Fushë Kosovës e vitit 1389 ishte një përballje e të krishterëve të kësaj pjesë të Ballkanit me Osmanët. Në këtë betejë, dhe kjo është e vërtetë e provuar tashmë nga historianët dhe gjërësisht e njohur për ato që e lexojnë historinë nga studimet dhe jo nga tekstet historike Serbe, u vra Sulltani Osman nga Millosh Kopilici, një djalosh shqiptar i Kosovës. Në trojet e Kosovës, shqiptarët jetonin qindra vjet përpara se Serbët, dhe përgjithëisht sllavët e Jugut të zbrisnin në Ballkan, në periudhën midis shekujve 6-9 të Mesjestës së Mesme.

U desh shumë mundë e përpjekje, konflikte dhe luftra, kërbac dhe karrota që dyndjet Serbe dhe ato sllavo-jugore të akomodoheshin tek popujt autoktonë të Ballkanit, midis të cilëve ishin edhe Shqiptarët dhe Grekët, si dhe të pranonin liturgjinë e Kishës Ortodokse Bizantine.

Me pak përpjekje po të zhytesh përtej historisë së shkruar në shekullin 19-të nga historianët dhe shkrimtarët Serbë, rezulton qartësisht dhe në mënyrë të pakundërshtueshme nga burime të shumta që Serbët ishin ndër të krishterët e fundit që pranuan liturgjinë Ortodokse, falë fuqisë dhe mencurisë së Kishës Ortodokse Bizantine. Por, cfarë ndodhi me historiografinë Serbe në shekullin 19-të?

2.‘Miti i Kosovës’, manipulim i historisë

Fillimi i lëvizjes nacionaliste Serbe në shekullin e 19-të shënon fillimin e manipulimit politik të historiografisë Serbe lidhur me Kosovën. Në valën e parë të ngritjes së nacionalizmit Serb, bazuar në doktrinën e Ilia Garashaninit deri në 1878, vëmëndja kryesore e historianëve dhe shkrimtarëve Serbë ishte kryesisht drejt Bosnie-Hercegovinës. Mirëpo, mbas Kongresit të Berlinit, të vitit 1878, Bosnie-Hercegovina iu dha Monarkisë Dualiste Austro-Hungareze. Endrra Serbe u shua përkohësisht dhe filloi spostimi i vëmendjes ndaj territoreve të Kosovës. Kështu që, mbas 1878 filloi parapërgatitja e strategjisë ofensive Serbe kundër Kosovës. Kjo strategji nisi me mjetet e politizimit nacionalist të historisë së Kosovës.

Nga vitet 1844 deri në 1906 doktrina e Nacertanjes, (Serbisë së Madhe) ishte dokument sekret dhe zotërohej vetëm nga disa politikanë të lartë Serb. Është kjo arsyeja që askush nuk e atakoi atë doktrinë. Ndërsa praktikisht, për herë të parë u festuan publikisht Beteja e Fushë Kosovës (Vidovdanit) në 1889, dhjetë vjet mbas Kongresit të Berlinit, kur Serbët tanimë e kishin humbur Bosnie-Hercegovinën dhe po spostoheshin strategjikisht drejt Kosovës.

3.‘Dita e Kosovës’, doktrinë nacionaliste

Një vit më pas, në 1890, Vidovdani u shpall ‘Dita e Kosovës’, pra festë nacionaliste Serbe. Në të gjithë tekstet historike dhe gjeografike të Serbisë u miratuan curricula të manipuluara shtetërore monopol që vazhduan dhe vazhdojnë të jenë edhe sot valide në shkollat, Kishat dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë.

Filloi tjetërsimi i historisë së Kosovës. U shpallën kisha, varreza, monumente historike e kulturore të shenjta Serbe mbi territorin e saj. U bënë edhe shpërfytyrime mbi mjaft objekte historike, të shenjta e kulturore të shqiptarëve. Toponime të shumta filluan të zëvëndësojnë masivisht toponimet autoktonë shqiptare në Kosovë. Fjalës së vjetër ‘Kosovë’ iu u shtua edhe ‘Metohi’ dhe togfjalëshi ‘Kosovë e Metohi’ hyri gjërësisht në fjalorin dhe retorikën politike e propogandistike Serbe për identifikimin e Kosovës.

Mbi të gjitha filloi një fushatë intensive dhe shumë agresive për etiketimin e shqiptarëve të Kosovës si ’ardhacakë të vonë’, ’barbarë’ si ‘të dhunshëm’, ‘muslimanë Otomanë’, ‘ekstremist’ e ‘mbrojtjës së Turqve në Ballkan’. Për kundër këtij etiketimi, Serbët u identifikuan si ‘viktima të dhunës shqiptare”. Këto ‘viktima Serbe’ kishin ‘nevojë për mbrojtjen e shtetit Serb’. Për këtë u lancua në vitet 30-të të shekullit 20-të doktrina e Vasa Cubrilovicit “Përzënia e Shqiptarëve’, që në mënyrë të detajuar u parashtronte shtetit Serb rrugët dhe mënyrat për cfarosjen e shqiptarëve të Kosovës dhe zëvëndësimin e tyre me kolonë Serbë.

4.Vidovdani-imazhë i manipuluar ndërkombëtar

Nga Serbia Vidovdani rrëshqiti si festë në Malin e Zi, që mund të konsiderohet viktima e parë e propogandës manipulative Serbe jashtë kufijve të saj politik. Malazezët e besuan dhe e festuan të parët Vidovdanin verbërisht. Më pas në Kroaci dhe Slloveni, në fillimet e shekullit 20-të, mbas krijimit të Mbretërisë Treshe Serbo-Kroato-Slovene, Vidovdani u përhap si festë Serbe.
Ndërkohë, midis Luftës së Parë Botërore, si pasojë e konjukturës së Aleancave Ndërkombëtare, Serbia e lancoi Vidovdanin në Britaninë e Madhe, në Francë dhe më pas edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Britania e Madhe mbështeste Serbët për ‘solidaritet’ dhe si Aleatë, po kështu edhe Franca mbështeste Serbët si modeli i ‘hakmarrjes’. Në ShBA festimet nisën më vonë, por edhe atje pati përkujtime, retorikë dhe botime të ndryshme për Vidovdanin.

Në Britani, Francë e ShBA, nga komitete, universitete e shoqata të ndryshme u bënë festime përkujtimore të Vidovdanit, pra ‘Ditës së Kosovës’, që do të konsiderohej si festë nacionale e Serbisë. Etiketimi ‘Dita e Kosovës” u shoqërua me retorikën politizuese të historisë që e quante Kosovës ‘zemra e Serbisë’, ‘shpirti i tokës së shenjtë’ dhe deri “Jeruzalemi i Serbisë’. Car Lazari u shpall Shenjt Serb. Identiteti i Kosovës u shpërfytyrua. Imazhi i saj u manipulua gjërësisht. E vërteta u shtrëmbërua. Gjithcka bëhej për qëllime politike. Nacionalizmi Serb po ngrinte një makineri propogande shtetërore vetëm për Vidovdanin.

5.Vidovdani si ‘Shkëlqimi’ dhe Rënia’ e Milloshevicit

Sllobodan Milloshevici ndoqi të njëjtën qasje politizuese të historisë Serbe për të arsyetuar qëllimet e tij politike mbi Kosovën. Në vitin 1989, me rastin e 600-vjetorit të Vidovdanit, Milloshevici shkoi në Fushë Kosovë ku shpalli publikisht qëndrimin e tij ndaj Kosovës, lancoi nacionalizmin Serb mbi Kosovën dhe gjithë Jugosllavinë, bëri ndryshimet kushtetuese për suprimimin e autonomisë së Kosovës dhe Vojvodinës dhe shpalli doktrinën ‘një Jugosllavi e fortë me një Serbi të fortë’. Kjo ishte e kundërta e doktrinës së Titos që thoshte ‘një Jugosllavi e fortë me një Serbi të dobët’.

Gjatë luftrave të përgjakshme në shpërbërjen e Jugosllavisë, Vidovdani, krahas Serbisë u festua kryesisht në Bosnie-Hercegovinë nga Serbët dhe armata Serbe e drejtuar nga Karaxhici dhe Mlladici. Madje krimineli Mlladic, që më pas do dënohej me burgim të përjetshëm në Hagë për krime luftë dhe krime kundër njerëzimit, do të konsiderohej nga Serbët e Bosnie-Hercegovinës dhe armata Serbe si ‘Heroi Lazar’ i Bosnie-Hercegovinës.

Profili i Milloshevicit nisi ngritjen nga komunist në nacionalist pikërisht në festimet e Vidovdanit në Kosovë në vitin 1989. Por, do ishin pikërisht politikat shfarosëse, pastrimet etnike, genocidet dhe krimet kundër njerëzimit të aplikuara nga Milloshevici mbi Vidovdan që do shënonin njëkohësisht rënien e tij. ‘Vidovdani’ do bëhej varri i doktrinës politike nacionaliste Serbe të Sllobodan Milloshevicit.

Viti 1999 shënoi me ndërhyrjen ajrore të NATO-s mbi objektet strategjike Serbe fundin e nacionalizmit Serb mbi ‘Vidovdan’. E drejta humanitare ndërkombëtare i dha të drejtë popullit të Kosovës. Miti i Kosovës nisi të bjerë. E vërteta filloi të ndricohej. Pavarësia e Kosovës i dha fund manipulimeve politizuese të historisë së Kosovës nga Serbia.

Por përpjekjet e Serbisë për vazhdimin e manipulimit të Vidovdanit, ose ‘Mitit të Kosovës’ vazhdojnë, sikundër vazhdojnë edhe viktimat politike e diplomatike të këtij manipulimi ose edhe të vetëofruarit e saj. Ish diplomatik Richard Grenell duket të jetë njëri prej tyre përtej Atlantikut…

Share: