Home KRYESORE COVID-I DHE “NORMALITETI”, sa pranë normalitetit kemi qenë dhe jemi?

COVID-I DHE “NORMALITETI”, sa pranë normalitetit kemi qenë dhe jemi?

Nga Erion Dasho

Që me nisjen e pandemisë, synimi për t’ju rikthyer sa më parë normalitetit ka qenë po aq i fortë sa edhe përpjekja për të dalë të padëmtuar prej saj.

Por, sa pranë normalitetit kemi qenë dhe jemi?

Të mos harrojmë se pandemia nisi me hiper-entuziastët që u munduan ta paraqesin COVID-in si një “grip” gjë që nuk është aspak, pasi transmetohet shumë më shpejt dhe vret disa herë më shumë edhe se gripi më i fortë.

Me rritjen e shkallës së imunizimit, diku në mënyrë natyrore (shembulli më tipik janë Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, etj.) dhe diku në sajë të vaksinimit (shembulli më tipik janë Izraeli, Britania e Madhe dhe Singapori) sërish u besua se epidemia u vu nën kontroll. Praktika po tregon se edhe kjo shpresë është jo-realiste për shkak të shfaqjes së varianteve të reja dhe rënies së nivelit të imunitetit me kalimin e kohës.

Kthimi në “normalitet” i tentuar në Izrael dhe Singapor dështoi dhe vendet ju kthyen masave kufizuese. Por a do të thotë se këto masa janë “anormale”?

Të kërkosh që një person të mbajë maskë kur hyn në autobus, tren, supermarket, apo në çdo mjedis të mbyllur publik, a është “anormale”?

Sigurisht, një aktivist i të drejtave të njeriut do të përgjigjet “PO”! Një përkrahës i teorive konspirative do të shkojë edhe më tej dhe do ta interpretojë këtë si një zbulesë të parashikimeve më ogurzeza të idhujve të tij, profetëve të kiametit!

Ndërkohë, një ekspert i shëndetit publik e sheh këtë si një masë të bazuar në evidencë. Mjafton të merret si shembull një popullsi mbi 80 milionëshe (ajo gjermane), e cila e zbaton këtë masë pa shkeljen më të vogël prej më shumë se një viti.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria?

Në radhë të parë, duhet kuptuar se nuk ekziston një masë e vetme që do të garantojë kthimin në “normalitet”.

Mbi të gjitha, duhet përkufizuar vetë “normaliteti”!

》Nëse për qeverinë, ministrinë, komitetin dhe vetë shoqërinë shqiptare është “normale” që çdo ditë vdesin rreth 10 persona të raportuar zyrtarisht dhe disafishi i tyre të paraportuar…

》Nëse nuk na bën përshtypje fakti që kanë nisur të vdesin edhe 21, 25 apo 40 vjeçarët (raste të rralla, por gjithsesi tragjike kur bëhet fjalë për të tilla mosha)…

》Nëse shqiptarët janë aq “të lirë” sa mbajtja e një maske u duket dhunim i jashtëzakonshëm i lirisë (dhe jo korrupsioni, nepotizmi, vjedhjet, mashtrimet dhe manipulimet e qeveritarëve)…

…atëherë nuk ka nevojë të bëhet asgjë tjetër!

Mund të vazhdojmë si jemi dhe të jemi të sigurt (siç e kam deklaruar që në muajin prill) se shqiptarët nuk do të përballen me një dimër tjetër si ai 2020-2021. Më e keqja kaloi vjet dhe aq keq nuk ka për t’u bërë më. Do të vdesin disa qindra qytetarë (ndoshta dy ose tre mijë) dhe kaq. Sigurisht nuk do të kemi ato mbi 10 mijë vdekjet që ndodhën dimrin e kaluar!

POR! Nëse duam që më pak shqiptarë të sëmuren dhe të vdesin nga COVID-i këtë dimër, ka disa masa që as nuk dhunojnë “të drejtat” dhe as kufizojnë “lirinë”.

》Së pari, pasaporta shëndetësore si person i vaksinuar apo shëruar. Le të liberalizohen kriteret për këtë! Le të studiohet modeli i disa vendeve që e njohin statusin e të shëruarit deri në 12 muaj! Le të konsiderohet mundësia që niveli i antitrupave të mjaftojë për ta konsideruar dikë “të shëruar”!

》Së dyti, vaksinimi! Sa më shumë persona me moshën mbi 12 vjeç të vaksinohen, aq më të sigurt do të jenë individët dhe shoqëria. Të sqarohet se përfitimet nga vaksina janë shumë më të larta se rreziqet dhe të nxitet vaksinimi me vaksina të sigurta. SIGURISHT, vetëm mbi BAZA VULLNETARE dhe PA DETYRIM!

》Së treti, testimi! 50 cent kushton sot një test në Gjermani. Le të aplikohet vetë-testimi për të gjithë personat që nuk kanë dëshirë të vaksinohen dhe dëshirojnë të hyjnë në auditor, bar, restorant, kinema, etj.

》Së katërti, bashkëpunimi me qytetarët për të nxitur izolimin e të infektuarve deri në momentin e negativizimit të testit. Kjo është një masë jashtëzakonisht e rëndësishme për të parandaluar zinxhirin e transmetimit.

》Së pesti, maska! Mbajtja e një maske kirurgjikale ose FFP2 në mjedise të mbyllura e ul jashtëzakonisht rrezikun e transmetimit të infeksionit. 10 apo 20 cent kushton sot një maskë e tillë. Sërish, plotësisht e përballueshme për pjesën dërrmuese të popullsisë.

Sigurisht, ka edhe masa të tjera (sidomos ato që forcojnë kapacitetet trajtuese), por nëse do të merret pesë masat e përmendura më lart, COVID-i do të bëjë shumë më pak dëme në shëndetin dhe jetën e shqiptarëve.

Atëherë, dimri 2021-2022 do të kalojë realisht si një dimër “normal”…

Share: