Kryeministri Edi Rama është sot në bazën ajrore të Kuçovës, ku pritet të nisin punimet për bazën e re. I shoqëruar me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshin, por edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, Rama foli për shndërrimin e bazës ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të NATO-s.
Ai tregoi se kur u bë i ditur ky lajm kishte shumë persona mosbesues se do të realizohej si projekt.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm për masën e vendit tonë dhe për volumin e kontributit tonë në raport me vendet e tjera por falë edhe punës së përbashkët që është realisht një punë që e ka çuar bashkëpunimin me SHBA-në në një nivel tjetër por edhe falë mbështetjes që ne gjejmë nga SHBA-të ne po vetëdijësohemi çdo ditë e më shumë se nëse investojmë në mënyrë inteligjente dhe nëse adresojmë në rrugën tonë të forcimit dhe njëkohësisht të rritjes së cilësisë së forcave tona ushtarake ashtu siç duhet ne mund të jemi vlerë e shtuar për NATO-n edhe me projekte të tjera. Sot po shohim të realizuar një projekt që fillimisht u përqesh si lajm pasi ishte i mos besueshëm për të gjithë, kur 3 vite më parë u bë publik“, tha Rama.