Ka mbërritur në zonën e kufirit me Bjellorusinë delegacioni i Ukrainës që do të diskutojë me palën ruse lidhur me luftimet. Lajmi u konfirmua nga Presidenca e Ukrainës në Twitter.
Delegacioni ukrainas përfshinë Ministrin e Mbrojtjes Oleksiy Reznikov, këshilltarin e shefit të zyrës së Presidentit të Ukrainës Mykhailo Podoliak dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës Mykola Tochytskyi.
Më herët, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se nuk pret që bisedimet të japin ndonjë rezultat. Negociatori rus Vladimir Medinsky tha më herët se Rusia është e interesuar të arrijë në një marrëveshje që është në interes të të dyja palëve në bisedimet me Ukrainën.
Medinsky tha se bisedimet pritej të fillonin në orën 12:00 me orën lokale (09:00 GMT). Bjellorusia tha se ka përgatitur vendin për bisedimet midis delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë.
Ukraina ra dakord të dërgojë diplomatë në një vendndodhje afër kufirit Ukrainë-Bjellorusi, pavarësisht raporteve se udhëheqësi autoritar i këtij vendi, Alexander Lukashenko, është gati të dërgojë trupa për t’iu bashkuar pushtimit./ Opinion.al