Home KRYESORE Botë e sëmurë ku tradhtia e gruas është e pafalshme, ndërsa “burri...

Botë e sëmurë ku tradhtia e gruas është e pafalshme, ndërsa “burri është burrë…

Nga Ismete Selmanaj Leba

Ç’fituan njerëzit e burrit të nuses së re nga Librazhdi duke publikuar vidion e tradhtisë së saj? Duke e nxjerrë lakuriq – literalisht – në sytë e botës?

Të asaj bote të sëmurë ku tradhtia e gruas është e pafalshme, ndërsa “burri është burrë, nuk rri dot vetëm, i ka të nevojshme disa gjëra”?

Të asaj bote të sëmurë ku vipat mburren me dashnorët/dashnoret e tyre dhe të kesh disa të tillë, mundësisht vipa, është një lloj “status equo” për t’u patur zili.

Më kujtohet rasti i një nëne të një “vipere” shqiptare që u kacafyt në një studio televizive sepse vipi me të cilën ishte shoqëruar e bija mohonte që kishte kryer marrëdhënie intime me të bijën.

“Gënjen, gënjen”, ulërinte si e marrë. “Unë kam qenë vetë jashtë dhomës ku ata të dy u ***”

Në një shoqëri të kalbur deri në kockë, ku leku e vetëm leku bëhet qëllimi e zot i gjithçkaje, ku prindërit i shoqërojnë vetë vajzat e tyre në Dubai e gjetkë për të fituar lekë, ku dikush që e fiton bukën me djersën e ndershme të ballit pa mundur që të arrijë të bëhet i pasur, ofendohet nga këta të fundit me fjalën “pabuks” – një nga shprehjet më ofenduese që kam dëgjuar -, vihet përpara gjykimit një nuse e re që ishte martuar ndoshta me shkes, e mësuar që e vogël që tek dera e burrit duhet t’i shërbejë vjehrrit, vjehrrës e burrit me kokë ulur, ndërsa burri ndodhej larg?

Si i shkoi ndërmend kësaj nuseje të tradhtonte dikë që ndoshta e tradhtonte atje ku ishte? Të tradhtonte dikë që e takonte disa ditë në vit? Dikë të panjohur?

Mos gjykoni këtë grua të re, gjykoni shoqërinë që kemi ngritur, moralin e sëmurë të saj.

Share: