Nga Bardhi Sejdarasi
Ministria e Financave ka bërë të njohura ndryshimet në dy ligje të rëndësishme, në atë të Procedurave Tatimore dhe atë të Inspektimit në Punë.
Ndryshimet kanë qënë pjesë e kërkesave të shprehura nga qytetarët gjatë konsultimit publik, që qeveria realizoi pak muaj më parë.
Ndryshimet në ligjet e mësipërme kanë të bëjnë me një nga problemet shqetësuese, të vërejtura në pothuajse të gjithë qeverisjet gjatë tre dekadave të fundit, atë të fshehjes së pagës reale nga punëmarrësi apo edhe më keq, atë të mosdeklarimit të të punësuarit.
Sipas ndryshimit të fundit ligjor:
Nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të përfituar nga punëmarrësi, si rezultat i marrëdhënies së punësimit, tatimpaguesi-punëdhënës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimit tatimor dhe kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të llogaritur për gjithë periudhën që provohet se është kryer shkelja, dënohet me gjobë në masën:
• 200 përqind të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit e rregjistruar me përgjëgjësi tatimore tatim fitimi dhe TVSH dhe,
• 100 përqind të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.
Sipas shpjegimit zyrtar që bën Ministria e Financave dhe Ekonomisë “Projektvendimi ka për qëllim që nëpërmjet masave shtrënguese të propozuara të ndikojë pozitivisht në uljen e evazionit tatimor, vendosjen e balancës ekonomike ndërmjet mbledhjes së detyrimeve nga ana e shtetit dhe pagesës së detyrimeve nga ana e tatimpaguesit”.
Nisma e ndërmarrë pritet të krijojë kushte të përshtatshme për konkurencë të ndershme, duke mbështetur sjelljen e ndershme të bizneseve të rregullta, garantimin e të drejtave të qytetarëve në marrëdhëniet e punës dhe jo vetëm, si dhe të ndërgjegjësojë dhe edukojë kundravajtësite ligjit që kryejnë evazion tatimor dhe shmangie tatimore.
Propozimi vjen si nevojë e situatës reale dhe faktike tëmosdeklarimit të punonjësve si dhe fshehjes sëpagës reale tek biznesi i madh, pasojat e të cilit reflektohen në mosmbledhjen e të ardhurave tatimore.
Sipas të dhënave që ka mundur të marrë RTSH, Shqipëria numëron rreth 166 mijë subjekte aktive, që janë objekt kontrolli i Inspektoratit shtetëror të punës dhe. Gjatë vitit 2021, ky inspektorat ka inspektuar 4.2 % të tyre, dhe nëse do synohej zgjidhja optimal që një subjekt të inspektohet 1 herë në vit, do duheshin rreth 23 vite për ta riinspektuar sërisht.
Nga analizat e realizuara nga administrata tatimore rezultojnë se për 3 vitet e fundit (2019, 2020, 2021), vetëm për biznesin e madh janë vendosur mbi 1.000 gjoba për mosdeklarim të punonjësve dhe fshehjen e pagës, me një vlerë prej më shumë se 142 milionë lekësh të rinj. As ky penalitet i lartë nuk e ka zbutur fenomenin e evazionit të pagës dhe të rregjistrimit të punonjësve. Komuniteti i biznesit dhe ekspertët kanë kohë deri në 13 korrik të konsultohen me qeverinë për ndryshimet fiskale.
shënim: Pas pak ditësh edhe ligji i “debatit”