Home KRYESORE Mania e shpalljes me origjine shqiptare e te gjitheve te famshme!

Mania e shpalljes me origjine shqiptare e te gjitheve te famshme!

Nga Lis Bukuroca

Me “zbulimet” e përjavshme, se ky apo ai personalitet me famë botërore, ishte i origjinës shqiptare, dëmtojmë sedrën kolektive kombëtare. Shkenca merret me fakte, jo me dëshirën e të gjallëve, duke shpërfillur qëndrimin e të vdekurit, që neve na nevojitet për mburrje. Shkenca nuk është religjion, që kërkon besimin e pa prova, por disiplinë që kërkon të vërtetën.

Sidoqoftë, ai personalitet, do të duhej ta kishte ditur vet çfarë ishte dhe do t’i kishte shkruar vet dy fjalë, e jo të shpallet shqiptar, nga pamundësia për t’u krenuar me të gjallët dhe duke njohur pamundësinë për t’u artikuluar i vdekuri.

Me “zbulime“ të tilla që më shumë i ngjajnë shpjegimeve të fallxhorëve, nuk tregojmë madhështinë tonë nacionale, por pikërisht të kundërtën: vogëlsinë tonë dhe shkërbimin e traditës serbe, greke, bullgare dhe maqedonase. Me zbulime të tilla, vetëm nënvizojmë trash dhe zi tradhtinë ose dezertimin serik nga origjina, sa vizatojmë vetveten, si populli me më shumë dezertorë, ose me më shumë personalitete tradhtarë në botë brenda vetes.

Njeriu është ai që ndjen veten. Askush nuk ka të drejtë të përcaktojë identitetin e dikujt, që ka pasur aftësi për të folur, ose për të shkruar. Ne mund të vendosim vetëm për identitetin tonë, ose të shndërrojmë lexuesin e pakujdesshëm në viktimë.

Meqenëse ata nuk kanë deklaruar veten si pjesëtar të këtij populli, shumë prej tyre, madje të arsimuar, por të gjithë me aftësi komunikuese, atëherë nuk janë ndjerë të tillë dhe nuk ka askush të drejtë, t’i shpallë shqiptarë si të vdekur, çfarë ata mohuan, ose shpërfillën si të gjallë.

Ata nuk dëshironin të jenë tanët, edhe sikur të kishin qenë, sepse ata janë të atyre për të cilët ishin në shërbim, ku qëndrojnë përmendoret e tyre: këtu bëjnë pjesë dhjetëra perandorë romak, dhjetëra vezirë osman, dhjetëra politikanë e dijetarë tjerë, të cilët sot shpallen si shqiptarë, edhe atë, kundër qëndrimeve dhe bindjeve të tyre. Gjendja jonë mirëpo nuk ndryshon edhe nëse shpallim të gjithë gjenitë e botës shqiptarë. Me atë, vetëm dëshmojmë se ata kishin turp ta quajnë veten çfarë ishin, duke fshehur origjinën, ose duke pranuar identitet tjetër.

Nënë Tereza tregoi me një fjali, por nuk janë të pakët ata që i mohojnë identitetin shqiptarë, siç nuk janë të pakët edhe ata në fabrikimin e shqiptarëve, që janë si antipod i të parëve. Është një çrregullim dhe moskuptim i botës dhe diversiteteve, i lirisë individuale, si ata që i mohojnë, si ata që “zbulojnë“, sepse të dyja palët, perceptojnë botën vetëm sipas asaj se çfarë duan të shohin.

Çfarë konsiderojnë të mirë, çfarë të keqe. Këta dëshirojnë një botë, çfarë kundërshton natyra dhe çfarë nuk do ta bëjë kurrë evolucioni. Zoti, jo se jo. Ka miliona vite, që bota është e ndryshme dhe do të mbetet gjithmonë e tillë. Sa më shpejtë ta kuptojnë këtë vërtetë të madhe, aq më pak telashe do të kenë.

Skënderbeu nuk mund kurrë të bëhet serb, as Leka kurrë shqiptar. Janë vetëm dy pretendime me çrregullime të rënda, ose nga zhgënjimi, nga inferioriteti, pse bota nuk është, siç imagjinojnë ata. Që të dy palët kanë frikë kronike nga e vërteta, deri në paranojë, por historia u shërben si shkop qortues, për ta penguar individualitetin dhe ardhmërinë normale të popujve, që bazohet në dije.

Nuk duhet shpallur shqiptar, sepse askush nuk din më mirë se ata, se kush ishin dhe çfarë ndjeheshin. Me mosdeklarimin e tyre të hapur, ata kanë thënë çfarë nuk dëshironin të ishin. Të shpallen ata shqiptarë, domethënë, të dhunohet individualiteti i tyre dhe të vizatohen, siç na pëlqen neve, për të përkëdhelur sedrën tonë në mënyrë të rrejshme. Ky është një lloj masturbimi parashkencor.

Është edhe si kur një i rritur, dikur si fëmijë i adoptuar, merr vesh se i ati tij, tanimë i vdekur, gjendej diku tjetër dhe se nuk kishte asgjë të përbashkët me babain e rrejshëm, pos gënjeshtrës së pohuar, dhe gënjeshtrës së besuar, si dhe mohimi për ta njohur të vërtetën.

Nuk është me rëndësi se çfarë ishte një njeri, por shumë me rëndësi është, çfarë i ofroi botës: të mira apo të liga. Nga një gjeni përfiton njerëzimi, siç edhe mund të dëmtohet nga një psikopat. Shkrimet që shpallin shqiptarë çdo personalitet, tregojnë një të vërtetë të madhe: jemi në gjendje të mjerë në të tashmen dhe zhytemi në histori për të gjetur ngushëllim. Domethënë kemi pasur udhëheqës të mëdhenj për botën, por neve, vazhdimisht na kanë sunduar taravolët mizantrop, narcistë, pra, mbetjet.

Nacionalizmi i tepruar, dëmton kombin, i cili duron dhe kultivon atë. Nacionalizmi i tepruar, nuk është ndjenjë e shëndoshë, por çrregullim dhe mospranim i realitetit, mohim, respektivisht, manipulim dhe ndërtim i një krenarie patologjike.

Millosheviqi adhuronte kombin e tij dhe i dhuroi bombardimin. Hitleri adhuronte kombin e tij dhe solli copëtimin, zvogëlimin dhe ndarjen e vendit. Kim Jong si edhe Fidel Castro, adhurojnë kombet e veta dhe i kanë burgosur. Si ata kombet e veta, edhe Kalifati po dëmton islamin, sepse edhe Al Bagdadi, si diktatorët tjerë, është i bindur se njeh dhe adhuron të vërtetën më mirë se të gjithë të tjerët në botë. E bëjnë nga dashuria e verbët dhe popullin perceptojnë si turmë idiote dhe vetëm ata, dinë se çfarë është mirë për të. Dëmet që i shkaktohen një sedre, identiteti kolektiv, janë njolla që nuk shlyhen kurrë, sepse futen në histori. Nacionalizmi ekstrem, si edhe çdo ekstremizëm tjetër, ka atë fuqi rrënuese, stigmatizuese; të shembë një identitet kolektiv, ose ta përhedhë në një rezignacion, sa me dekada do të merret me vetveten.

Dashuria ndaj atdheut dëshmohet vetëm duke respektuar Kushtetutën pikë për pikë, të gjitha diskurset tjera, janë përralla për manipulim kolektiv. Nacionalizmi ndihmon gjatë pushtimit, në kohë paqe, mund të dëmtojë një komb.

Share: