Home KRYESORE NUK JAM ME LIRINË E NAZIME VISHËS!

NUK JAM ME LIRINË E NAZIME VISHËS!

Nga ZILIE FEÇI

Ajo që ndodhi me të arrestuarën dhe dënuarën me 10 vite burg për vrasje, pavarësisht rrethanave, tregon se media dhe opinioni publik, e sidomos qarqet intelektuale kanë fuqi për të ndryshuar çdo qëndrim të mundshëm, pse jo edhe të ligjshëm. Nazime Visha, pas disa viteve burg, u lirua me një dekret të posaçëm presidencial. Në fakt, ajo përfitoi nga zhurma e madhe, interesimi për të i medias dhe i disa intelektualëve me mjaft emër, jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej këtyre kufijve territorialë, një prej të cilëve shkrimtari i madh Ismail Kadare. Por, unë jam krejtësisht kundër ashtu si u veprua. Nazime Visha, pavarësisht se në ç’rrethana e dhunuar, e gënjyer, e mashtruar, pa kujdesin e duhur familjar apo të tjera si këto kreu një krim. Të rëndë madje. Për të cilin drejtësia “e fali” sepse i dha dënim minimal, gjë që nuk do të ndodhte me çdo njeri tjetër që do konsumonte një vepër të tillë penale. Por nisur nga të gjitha arsyet e mundshme, vendimi u mor nga drejtësia e këtij vendi.

Të gjithë shprehën keqardhjen për Nazime Vishën, vajzën që u bë vrasëse nga halli, me të drejtën siç tha në gjyq, për të shpëtuar jetën e saj. Nëse do t’i hyjmë analizës që nga momenti i njohjes me viktimën e saj, marrëdhënien e mëvonshme, vijimin e historisë, shkëmbimit të mesazheve e të tjera si këto nuk të krijohet fare, po fare përshtypja që ajo është dhunuar në këtë raport. Nëse do të kishte ndodhur kështu, në një mënyrë apo në një tjetër, Nazime Visha do ta kishte gjetur rrugën përmes së cilës të shpëtonte. Sepse, një vajzë në atë moshë që gjen shpëtim te vrasja, duket të konsumojë edhe rrugë të tjera të mesme, përmes të cilave i jep fund dhunës së pretenduar prej saj. Pra, nëse nuk do kishte qoftë edhe një gram dëshirë, apo përfitim të sado pak të mirave materiale, Nazime Visha do gjente mundësinë për t’u larguar prej viktimës, gjë që nuk e bëri, por priti deri në fund. Fjala bie, t’i tregonte të fejuarit të saj, apo familjes. Ose, kur mori armën dhe e qëlloi ftohtësisht, ashtu të ishte nisur drejt policisë për të shpëtuar veten nga krimi që do kryente, por edhe në fund të fundit nuk do t’ia merrte jetën një tjetër personi, që 5 fëmijët prisnin ta shihnin, edhe pse ndoshta nuk ka qenë babai i përkryer për ta. Dekreti është bërë fakt dhe Nazime Visha, po bën gati planet e së ardhmes së saj, por precedenti do mbahet mend. Më shumë do isha dakord, që dekrete të kësaj natyre të ishin më së shumti për ato gra që vrasin bashkëshortët e tyre dhe marrin përsipër përgjegjësinë e rritjes së fëmijëve krejt të vetme, pasi kanë duruar jo pak dhunën e bashkëshortëve të tyre. Çfarë mund të thuhet për një nënë, që e ka vrarë babain e fëmijëve të saj, sepse nuk mund të duronte më dhunën, që në jo pak raste nga këto lloj burrash ushtrohet edhe në sy të fëmijëve. Pse, askush nuk ngrihet për të kërkuar edhe për të lirimin e menjëhershëm, se nëse fëmijët kanë mbetur pa baba, pse të mbeten edhe me nënë në burg. Shumë do ngrihen dhe ta kundërshtojnë këtë ide, por jam e bindur se nëse gjithkush do ta mendojë vetëm pak sekonda do përligjë këtë që jam duke thënë, me argumentin se përtej burgut të një nëne vrasëse janë duke u rritur fëmijë, që nesër do të jenë kontingjent krimi.

Nuk po diskutoj këtu se ligji është i barabartë për të gjithë; si për Nazimen, për atë gruan që vret burrin, për atë djalin që vret të dashurën, vjehrrin, gruan e shumë si këto. Në këtë rast, ligji nuk është i barabartë. Pra, edhe nëse flasim me ligj, lirimi i Nazimes ka krijuar një gropë të madhe që do mbahet mend gjatë dhe ndoshta për juristët e brezave do të shërbejë si një shembull i keq i zbatimit të ligjit, apo të dekreteve presidenciale. Në debatin për lirimin e saj, më shumë pikë fitoi media, sepse çështja “Visha” u mediatizua aq shumë sa ndoshta “detyroi” edhe kreun e shtetit të firmosë dekretin e lirimit. Historia e Nazimes, e publikua në media fill pas vrasjes së Fiqiri Muçës, nuk është aspak favorizuese. Fotot, mesazhet në celular e fusin në rrethin e fajtores, ndaj falja është më e fajshme se krimi i Nazimes dhe në këtë rast fajtori, më shumë se peticioni i intelektualëve, apo iniciativat e medias, është kreu i shtetit. Të gjithë do të donin të linin qelitë, sepse askush nuk pranon se krimin e kreu me paramendim. Çdokush ka një arsye, por kjo nuk duhet të shërbejë për tolerime të kreut të shtetit apo ministrit të Drejtësisë.

Përgjatë këtyre ditëve të lirimit të Nazime Vishës, pavarësisht mendimit tim të kahershëm, qëkur nisi debati për lirimin e saj, kam pyetur shumë e shumë njerëz, që nga njerëz të thjeshtë e deri tek intelektualë që nuk i janë bashkangjitur listës për lirimin e saj dhe që shprehën mendimin e tyre hapur, se Nazime Visha nuk duhej liruar. Një gjë e tillë ka krijuar një precedent, që nuk është çudi të ndodhë shpesh. Krime të kësaj natyre ka pafund, me autore gra. Mos ndoshta duhet marrë një nismë nga të gjithë për të zbutur dënimin për të gjitha ato gra në këtë vend që kryejnë vrasje në rrethana të caktuara, dhune, abuzimi, apo vetëmbrojtje. Sepse kështu nuk mbrojmë një individ, por një kategori që në fakt ka nevojë.

Share: