Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Pse kemi këtë marrëdhenie gati barbare me ambjentin, pasurinë që s’na përket...

Pse kemi këtë marrëdhenie gati barbare me ambjentin, pasurinë që s’na përket neve po bijve, nipave e stërnipave?!

Nga Çapajev Gjokutaj

Sot në mëngjes, kur dielli po binte mbi det, tre burra terhiqnin rrjetën. Do durim kjo punë, mendova ndërkohë që dallova se rjeta rrethonte një goxha sipërfaqe, mbase nja dy dynymë.

Pas nja tre çerek ore, kur po perfundoja shetitjen e mëngjesit peshkatarët po mbaronin punë. Kishin zënë vetëm një qefull nja 200 gr dhe nja 5 – 6 kandilë goxha të bëshëm. Peshkun e çuan tek skafi që dergjej aty pranë, kurse kandilat i flakën në det.

Një e moshuar u skandalizua dhe nisi t’i qortonte. ‘Kemi fëmijë – po u thoshte peshkatarëve – kanë ardhur të gëzojnë dhe jo t’i zhurisin kandilët’. ‘Jo moj! Ia prishëm pushimet zotrisë sate’, iu zgerdhi njeri nga peshkatarët, nja 20 vjeç më i ri se e moshuara.

Hoqa atletet e çorapet dhe me një kovë, lodër fëmijësh, që u gjend aty pari, hyra të rinxirrja kandilët në breg. Peshk mund të mos kemi, qesëndisa me vete, po rrugaçëri kemi me bollëk, na del për vete e tepron edhe për eksport.

Pastaj nisa të vras mendjen, pse ka kaq pak peshk brigjeve tona, dikur kishte goxha më shumë. Me gjasë bollëku i municioneve të ‘97-ës ka bërë të vetën. Po ku ta dish, mund të ketë arsye të tjera.

S’do vajtuar vetëm peshku, i thashë vetes kur po hiqja kandilin e fundit. Sharra, sopata e zjarret kanë shkretuar pyje të tëra. Lakmia e ndërtuesve, po ca më shumë tahmaja e pushtetarëve kanë gërryer e denatyruar lumenj dhe kanë bërë masakra urbane si ajo në Sarandë, në rrethinat e Tiranës, ne plazhet e Durrësit e gjetkë.

Pse kemi këtë marrëdhenie gati barbare me ambjentin, pasurinë që s’na përket neve po bijve, nipave e stërnipave? Rrugaçëria e vulgut ka rolin e vet në këto masakrime, po pjesa e luanit u takon pushtetarëve.

Natyrisht, këto dhe të tjera mynxyra si këto ndodhin edhe ngaqë ne, qytetarët normalë, ulim kokën dhe, shumë shumë përpiqemi të pastrojmë detin me një kovë fëmijësh, sindozot unë këtë mëngjez🤡😜

( Nga cikli ‘Selanik e tatëpjetë’ )

Share: