Të nderuar miq:
Sot shkova në parlament, jo thjesht për proçedurë apo për ti bërë qokën presidentit të ri, por për të respektuar institucionin e Presidencës. Pavarësisht se roli i presidentit është ceremonial, është domosdoshmëri funksionaliteti i Presidencës, si institucion balancë midis Parlamentit dhe Qeverisë.
Uroj që Begaj, të tregojë fytyrën e shtetarit, garant të Kushtetutës, mbi të gjithë palët politike. Shpresoj të jetë një president i përgjegjshëm dhe të jap kontribut maksimal, sidomos tani kur jemi në negociata për tu anëtarësuar në Evropë.
Zgjedhja e Presidentit që kemi sot, vjen si pasojë e ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, të cilat shkatërruan çdo lloj norme demokratike të vendit tonë. Ndryshime të cilat i japin mundësi qeverisë, të zgjedhë të preferuarin e saj, dhe jo një figurë konsensuale, të pranueshme nga të gjithë.
Shpresoj që presidenti i ri, të zbatojë kushtetutën dhe siç ia kërkon detyra, të qëndrojë mbi palët dhe pa anshmëri politike. Jam shprehur më parë se Begaj, është i zgjedhur i Ramës, por është në dorë të tij, për të qënë president i të gjithë shqiptarëve.