Home KRYESORE Ramushi shkonte në zyrë duke ngrënë mollë… Ju tregoj si shkon Albini…

Ramushi shkonte në zyrë duke ngrënë mollë… Ju tregoj si shkon Albini…

Shko, o shoq!

Nga Kimete Berisha

Fytyra e tij është si e atyre personave dyshues që vazhdimisht i përvjelin hundët, sepse vazhdimisht e nuhasin një erë të keqe.

Kapakët e syve të tij janë aq të rënduar e të lodhur, sa forma e syve i është bërë si hajmali, dhe mezi i shihet të bardhët e syve.

Ndoshta vuan!

Kur e ka marrë pushtetin – e ka humbur guximin.
Kur s’kishte pushtet – kishte guxim.

Pushteti ia ngjiti paranojën.
Nuk i beson askujt.
Ka frikë nga hija e tij.
E lëshon alarmin e veturës, herët në mëngjes, kur rrugët janë të zbrazura. I zgjon krejt mëhallën, kur del nga shtëpia e tij me qera.

Para se të hyjë në ndërtesën e Kryeministrisë, jepet urdhëri (me shkrim) që njeri i gjallë të mos figurojë (për 15-të minuta) as në ashensor, as në shkallë as në korridore.

Ramushi shkonte në zyre duke hëngër mollë, që e fshinte për pantallonash para se ta kafshonte dhe duke i përshëndetur ëmbël zyrtarët e tij.

Albin Kurti i trajton shqiptarët si armiqtë e tij, i mban larg.
As vëllait nuk i foli kur e pa në sheshin “Nëna Terezë”.

  • Kur e organizoi një vjetorin e qeverisë, lulet i pagoi 20 mijë euro, ndërsa zyrtarët e kryeministrisë (me e-mail) i urdhëroi (që prej orës 14:00 -16:00 të mbyllen në zyre, t’i mbyllin dritaret, t’i lëshojnë perdet dhe të mos shikojnë kah terrasa ku qeveria Kurti bënte mastraf.
    (As të burgosurit nuk privohen nga e drejta për të shikuar nga dritarja).

Pse?
Pse e ndan popullin shqiptar, në populli “im” dhe populli “i atyre”.

Çfarë e mundon!
Pse ka frikë prej shqiptarëve që nuk i zotëron.
Pse ata që nuk i zotëron i urren!
Kush e ka bindur se mund ta zotërosh njeriun!

Kush e shfrytëzon sot Albin Kurtin më shumë se ministrat e tij!
Kush ndjehet sot më i vetmuar se Albin Kurti!
Njeriu i frikësuar – është njeriu më i vetmuar.
Nuk ka pushtet që ta heq frikën.

Duke u munduar të mos bëj gabime – nuk e ka kryer asnjë punë.
S’ka gabime – sepse s’ka punë.
Kur s’ka punë, nuk ndodh asgjë, përveç e keqja, e cila krijohet edhe pa punë.
Nuk ke nevojë të punosh asgjë për ta bërë keq, sepse keq është.

Derisa Albin Kurti nuk punoi – si strategji për t’iu shmangur gabimeve;
i tubon paret, i mykë, – për të mos i harxhuar gabim;
ministrat e tij, shihi:
i gëzojnë privilegjet,
shetisin botën,
marrin meditje,
vozisin veturat e shtetit, nuk dinë sa kushton nafta,
gjejnë rrugës edhe dashuri,
e frikësojnë administratën, i atakojnë intelektualët;
bëjnë kërdi, si në komunizëm, vrasin, por jo me thikë e me alttia, ta vrasin dinjitetin dhe individualitetin, pa pasur nevojë të të prekin me dorë.

I vetmi që nuk e gëzon pushtetin e tij është Albin Kurti me vajzën e tij.
Ministrat e tij u kënaqen duke e vjedhur dhe duke e mashtruar Albin Kurtin.
Albin Kurti i ka mashtruar shqiptarët, ministrat e Albin Kurtit po e mashtrojnë Albin Kurtin.

Asgjë nuk ka punuar.
Nëse e ka ndërtuar një kolibë, një shtëpi për të vetmuarit, apo një kuzhinë popullore – tregomëni!

Për kë punon Albin Kurti nuk e di, dikush thotë se sikurse Abazović (i cili edhe ç-në e mbiemrit të tij e shkruan serbisht – ć), është i lidhur ngushtë me popët serbë, ndaj të cilëve ndjehet borxhli, sepse një herë e kanë “shpëtuar”…

ama veç një njeri i shantazhuar, i kushtëzuar dhe plotësisht i mundur e shkatërron vendin e tij kështu kaq hapur, e varfëron, e nxit dhe indirekt e organizon eksodin e shqiptarëve dhe kthimin e serbëve në Veri.

(Si shpjegohet fakti se për hatër të Kishës Serbe Abazoviçi është në gjendje ta shkatërroj karrierën e tij politike)!

Eksodin e shqiptarëve e nxit kryeministri që familjen e ka në mërgim, që ministrat e tij janë mërgimtarë, që do të thotë, një grup kalkulantësh, që nuk e kanë parë (me vakt) të ardhmën e tyre në Kosovë, prandaj nuk e shohin as tonën.

Ndoshta me qejf kish punuar mirë, por nuk e lëshon “hajni”.
Nuk e di.
Dikush duhet ta verifikoj. Sepse, ndryshimi i qëndrimeve të Albin Kurtit dhe manipulimi e mashtrimi që i ka bërë popullit shqiptar duhet të sqarohen.

Pse Edi Rama po mundet të punojë punë konkrete (sado të vogla – diçka po shpurdh), e Albin Kurti nuk po mundet të punojë asnjë punë.
Kush po e ndal?

Cili zor dhe cili qëllim e ka detyruar Albin Kurtin t’i lajthitë dhe t’i mashtrojë shqiptarët?

Rinia po ikë. Pensionistët i janë rikhtyer punës së krahut.

Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës – “Mbreti i bërllogut”, po i shërben qeverisë Kurti për ta bërë Kosovën të duket edhe e ndyrë dhe e kontaminuar.

Ministri i shëndetësisë, një narcisoid i vendosur, që nuk e thotë asnjë fjalë për mijëra të infektuar në ditë me covid, (Institucionet nuk dezinfektohen, nuk ekziston asnjë masë mbrojtëse), nga Amerika e shikon Kosovën kah dergjet.

Pse? Çfarë qëllimi ka? Pse e do Kosovën “të vdekur”?

P.S. Kur del nga realiteti dhe hyn në botën virtuale, sheh krejt tjetër jetë:
Shqiptarët duke hëngër mish,
Nusretin duke pjekur mish me shumë krip, kurse për vete duke mbajtur dietë e duke vrapuar;
sheh vajza që ia kthejnë prapanicën botës mbarë;
e nëse ke fat, e sheh Blendi Fevziun me dy sahata.

Pas ish deputetit rom të Kosovës, i cili i bartte dy sahata në njërën dorë, Blendi Fevziu është i dyti që i bart dy sahata, në të dy duart.

  • Pra, nga varfëria e skajshme, është krijuar një pasuri e skajshme (që nuk i dihet prejardhja) e shqiptarëve.

Ka ekstreme.
Nuk ka më mes.
Ka ose të varfër, ose shumë të pasur.

Share: