Home KRYESORE “Koha e spiunëve merr fund”/ PD dhe PS gjejnë gjuhën e përbashkët!...

“Koha e spiunëve merr fund”/ PD dhe PS gjejnë gjuhën e përbashkët! Kuvendi voton pro ndryshimit të ligjit për dosjet e ish-Sigurimit

Deputetët e mazhorancës dhe opozitës u bashkuan këtë të enjte në Kuvend, ku votuan pro ndryshimit të ligjit “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Në një seancë maratonë, që zgjati më shumë se 12 orë dhe u shoqërua me debate mes deputetëve, projektligji u miratua me 94 vota pro dhe 1 abstenim.

Sipas amendamentit të dakordësuar për hapjen e plotë të dosjeve, çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin  për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi  të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve.

Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i  nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit  është në përpjestim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë.

Ndryshimi i ligjit aktual për partitë politike synon mos lejimin e drejtimit të një force politike nga kryetar me dosje në Sigurimin e Shtetit ose ata që kanë shërbyer si sekretar partie.

Thelbi i ndryshimeve është hapje totale e dosjeve, përfshi edhe ata të cilët njëherë kanë kaluar filtrat e komisioneve Bezhani dhe Mezini.

Debati 30-vjeçar për dosjet e ish-Sigurimit u riaktivizua javët e fundit të korrikut pasi Autoriteti Dosjeve i dërgoi një shkresë kuvendit ku thuhej se një politikan i rëndësishëm me inicialet I.M. ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin të Shtetit. Aludimet dhe debatet u përqendruan tek ish-presidenti Ilir Meta, i cili në mënyrë të vazhdueshme e mohon të ketë bashkëpunuar me ish-Sigurimin.

Top Channel

Share: