Home Gjeo-Ekonomia Ç’po ndodh në veri të Kosovës? Disa shtetas rusë kanë hyrë ilegalisht...

Ç’po ndodh në veri të Kosovës? Disa shtetas rusë kanë hyrë ilegalisht ditëve të fundit

Një person i veshur në të zeza, në ato që njihen si rroba taktike me një çantë krahu shihet në disa foto teksa lëviz në afërsi të Zveçanit. Në njërin krah të tij, është i vendosur flamuri rus, ndërsa në tjetrin simboli i një shqiponje që po ashtu është shenjë identifikuese ruse.

Një foto e tillë është shfaqur në disa rrjete sociale, ndërsa ka vënë në lëvizje agjencitë e sigurisë së Republikës së Kosovës.

Burime të sigurta brenda organeve të sigurisë në Kosovë, kanë konfirmuar për RTV Dukagjini se persona të tillë që janë shfaqur ditët e fundit ka në gjithë zonën veriore të Kosovës. Në verifikimin që kanë bërë këto organe të sigurisë ka rezultuar se këta persona kanë ardhur së fundi në territorin e Republikës së Kosovës.

Por, nga është prejardhja e tyre?

Këto burime të sigurta brenda organeve të sigurisë, kanë bërë me dije se disa nga këta persona kanë prejardhje ruse dhe kanë hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Qëllimi i tyre sipas këtyre burimeve agjencive të sigurisë, është shkaktimi i incidenteve në Veri të Kosovës veçanërisht në këtë kohë, kur po përflitet me të madhe nga ana e partnerëve ndërkombëtarë, mundësia e arritjes së një marrëveshjeje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Numri i këtyre personave që kanë për qëllim të nxisin destabilitet në Republikën e Kosovës shkon në rreth 300.

Përpos atyre me prejardhje nga Rusia një numër goxha i madh i këtyre personave disa prej të cilëve edhe janë fotografuar dhe identifikuar nga agjencitë e sigurisë së Republikës së Kosovës, vijnë edhe nga Republika Serbe.

Edhe këta qëllimet i kanë të njëjta sikurse këta persona të dyshimtë që kanë prejardhje nga Rusia./KosovaPress

Share: