Demokracia në Shqipëri dje mbushi 32 vjec .
Në 32 vjet histori janë vetëm 3 burra të fortë, 3 musketierë të cilët bashkohen ndahen ribashkohen për të përcaktuar fatet e këtij vendi.
Si është e mundur që një vend që rrëzoi një diktaturë tre dekada më parë të mbajë në pushtet 3 njerëz të fortë, ku të tre vazhdimisht sigurojnë publikun që nuk ka më kthim në diktaturë?
Demokracia shqiptare duket në krizën e moshës së mesme edhe pse 32 vjec. Eshtë filozofi David Runciman i cili përshkruan krizën e moshës së mesme të demokracisë, si një fazë në jetën politike të një vendi, ku demokracia është e lodhur dhe e rraskapitur, por jo në gjendjen e saj të fundit. Në këtë fazë ndryshimi mund të ndodhë edhe pse është vërtet i vështirë.
Njeriu është realisht në krizën e moshës së mesme kur në procesin e rivlerësimit të mundësive të humbura në jetën e tij ai gjendet para nevojës për ndryshime të forta edhe shpesh të sikletshme , të cilat kërkojnë prishje të status quo-së. Në mungesë të optimizmit të rinisë , kaosi që sjell ndryshimi i status quo-së, na detyron “të pranojmë” rregullin e arritur edhe pse vuajmë brenda tij .
Mundësitë që vendi ynë humbi në 32 vitet e” rinise së demokracise ” ishin mundësitë për drejtësi ekonomike dhe barazi politike, si dhe mos formëzimi i ndjenjës së arritjes kolektive që demokracia funksionon për të gjithë.
Ne vërtet rrëzuam një diktaturë, por historia jonë tregoi që ne nuk arritem t’i rezistojmë kthimit tek “një pakicë” e fuqishme ekonomike edhe politike burrash të fortë që drejtojnë.
Kriza e në demokracinë tonë duket se ka lidhje pikërisht me ankthet e vjetra te ripaketuara si identitete të reja.
32 vjet më parë shqiptarët nuk kishin instinkt për përgjegjësi personale. Mësimi kryesor që kemi marrë është pikërisht dëshmia se demokracia është ceshtje e sjelljes se shoqërisë , jo një proces, apo një “aplikacion” për t’u shkarkuar. Sundimi i ligjit është më shumë se tek ligjet dhe gjykatat, ai qëndron në kokat e qytetarëve.
Duhet të mësohet, të përjetohet dhe të zbatohet me kalimin e kohës. Forca e “tre musketierëve” tanë të pushtetit , e ka bazën pikërisht tek mënyra jonë e të menduarit, tek paaftësia jonë për të kuptuar , kërkuar e më pas për të ndërtuar institucione të forta .
Në këtë fazë ndryshimi mund të ndodhë edhe pse është vërtet i vështirë. Institucionet demokratike kanë nevojë për hapësirë për t’u rritur, të izoluara nga ekstremistët, e cfarë do lloji . Po ashtu është thelbësor edukimi i demokracisë, duke ushqyer koncepte të tilla si të drejtat dhe detyrimet e qytetarisë dhe nevojën për tolerancë ndaj bindjeve të tjera.
Në të kundërt ne do të jemi të dënuar të përjetojmë cdo 8 dhjetor rreshtat e fundit të “The Great Gatsby”. Do të vozisim me barka kundër rrymës, për tu rikthyer pa deshirën tonë vazhdimisht tek e kaluara!