Home Gjeo-Ekonomia Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i dërgon një letër të hapur Presidentit të...

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i dërgon një letër të hapur Presidentit të SHBA Joe Biden.

Presidentit të SHBA SH.T. Z. Joseph R. Biden
Shtëpia e Bardhë
Washington, DC 20500

Në vëmendje të Zotit:
Anthony J. Blinken
Sekretar i Shtetit,

I nderuari Zoti President,

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron ta shfrytëzojë këtë rast për t’iu falenderuar Juve dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen Tuaj të vazhdueshme për Shqipërinë dhe Republikën e Kosovës. Gjithsesi, ne jemi të shqetësuar nga zhvillimet e fundit, të cilat kërcënojnë në veçanti Kosovën.

Republika e Kosovës synon të bëhet shembull i demokracisë dhe mbrojtjes të të drejtave të njeriut në Ballkanin Perendimor, dhe kontribues i paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Mirëpo, këto objektiva dhe paqja në rajon janë ende të kërcënuara. Ne jemi thellësisht të shqetësuar dhe skeptikë lidhur me përkeqësimin e gjendjes në veri të Kosovës, si kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.

Bllokadat e vendosura në Veri kanë paralizuar jetën dhe kanë ndërprerë lëvizjen e lirë të njerëzve në rrugët kryesore që lidhin Kosovën me Serbinë. Banorët që jetojnë në Veriun e populluar kryesisht nga serbë po përballen me vështirësi dhe ndodhen në një atmosferë frike dhe kërcënimi të përhershëm nga grupet kriminale që veprojnë me mbështetjen e Beogradit.

Pavarësisht përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për të qetësuar situatën dhe për të ulur tensionet, jeta në atë pjesë të Kosovës vazhdon të jetë në rrezik dhe e pasigurt. Ata që i hedhin benzinë zjarrit brenda Kosovës ndihmohen dhe nxiten nga qeveria serbe. Kjo përbën një kërcënim serioz për sovranitetin dhe shtetin e Kosovës, paqen dhe stabilitetin rajonal.

Serbia është angazhuar në një luftë të vazhdueshme hibride kundër Kosovës dhe institucioneve të saj, ndërkohë që ky vend i ri bën përpjekje për forcimin e shtetit të së drejtës në bashkinë e tij veriore.

Veç kësaj, Serbia ka vepruar në rajonin tonë si proxy e Rusisë. Lidershipi i saj po punon me të njëjtin skenar që ka përdorur Rusia përpara se të fillonte pushtimin ndaj një vendi të pavarur dhe sovran si Ukraina në vitin 2014. Kjo fushatë hibride destabilizuese drejtohet kundër pavarësisë, demokracisë dhe natyrës së hapur të Kosovës, paqes e sigurisë në rajon.

Thirja e pajustifikuar dhe e paprovokuar e Beogradit për të dërguar 1000 ushtarë serbë në territorin e një vendi tjetër të pavarur fqinj nuk është vetëm kërcënim i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, por, nisur nga roli i NATO/KFOR, si garantues i sigurisë rajonale, ajo rrezikon të kthehet në një konflikt dhe më të gjerë.

Marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, të cilat vazhdojnë pa asnjë lloj smbrapsje, pavarësisht vazhdimësisë së sulmeve brutale të Kremlinit mbi Ukrainën duhet të ishin kundërshtuar shumë kohë më parë. Serbia ka importuar armatime të rënda gjatë shumë viteve të kaluara nga Rusia, duke shkelur ligjin amerikan mbi sanksionet. As tre muaj më parë, Serbia nënshkroi me Rusinë një marrëveshje të rëndësishme në fushën e politikës së jashtme. Gjithashtu, Serbia është i vetmi vend europian, përveç Bjellorusisë, që nuk ka zbatuar sanksionet ndaj Rusisë.

Ne jemi gjithnjë e më të shqetësuar dhe nga zgjerimi i marrëdhënieve serbe me Kinën. Tani Serbia importon armë nga Kina, duke blerë nga Pekini dhe një sistem të mbrojtjes kundërajrore dhe dronë të armatosur ushtarakë.

Ne jemi të shqetësuar nga moskundërshtimi i vazhdueshëm i SHBA-ve dhe BE-së ndaj Serbisë dhe shpresojmë të shohim rishikimin e qëndrimit tuaj në favor të një përqasjeje, e cila e konsideron përgjegjës Beogradin. Retorika që po përdor lidershipi serb në Beograd është kujtese e të kaluarës dhe nuk do lejuar të rishfaqet. Skenarët që zbatoi rregjimi i Milosevicit gjatë viteve 90 kundër pjesës tjetër të Jugosllavisë po vihen në skenë sërish. Presidenti Aleksander Vučić, i cili ka shërbyer si Ministër i Informacionit i Milosevicit sot udhëheq makinën serbe të dizinformimit, e cila e drejton foninë e saj të viktimizimit dhe propagandën e mbushur me urrejtje kundër Kosovës.

Si vend i pavarur, Republika e Kosovës ka bërë përparime shumë të mëdha në rrugën e saj për krijimin e institucioneve demokratike funksionale dhe një demokraci vibruese, ku të mbizotërojnë liritë njerëzore dhe shteti i të drejtës. Sot në Kosovë, pakicat etnike gëzojnë të drejta individuale dhe kolektive si asnjëherë më parë dhe në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare. Në një rajon në të cilin ekzistojnë probleme akute ndërshtetërore të brendshme dhe të jashtme, gjendja në pjesën më të madhe të Kosovës është e qëndrueshme dhe nuk përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale.

Qeveria e Kosovës është angazhuar me përkushtim dhe dedikim të plotë në Dialogun me Serbinë. Ne do të dëshironim të shihnim zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri tani, si shenjë e vullnetit të mirë dhe përkushtimit ndaj përpjekjeve të vazhdueshme, për të arritur në normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve, çka do të forconte stabilitetin dhe bashkëpunimin në gjithë rajonin.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e mbështet këtë proces dhe shpreson se ai do të finalizohet me njohjen e ndërsjellë diplomatike midis Serbisë dhe Kosovës, si dy shtete fqinje, të pavarura dhe sovrane. Pavarësisht nga shqetësimet tona të tanishme mbi politikën serbe, ne shpresojmë fort se eventualisht të dy vendet do të pranohen në Bashkimin Europian dhe në NATO. Ne mirëpresim angazhimin e Administratës Tuaj për përparimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Ne besojmë fuqimisht se rezultati i dialogut të lehtësuar nga BE-ja do të jetë në përputhje me parimet e miratuara mbi zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, të mishëruara dhe në dokumentat e Grupit të Kontaktit, i cili monitoroi dhe mbikqyri politikën ndërkombëtare në Kosovë, si dhe me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të njohur dhe si “Plani Ahtisaari.”

Këto parime udhëheqëse njohin integritetin territorial të Republikës së Kosovës brenda kufijve të saj, të njohur ndërkombëtarisht dhe ruajtjen e karakterit shumë-etnik të shtetit. Përqasjet që mbështeten mbi nocionin e rishikimit ose ndryshimit të vijave kufitare sipas linjave etnike bartin rrezikun e minimit të stabilitetit të Kosovës dhe vendeve të tjera shumë – etnike në botë.

Kjo është arsyeja përse ne, Zoti President, kërkojmë vëmendjen tuaj ndaj zhvillimit të këtyrte situatave, me qëllim që të krijohet një mjedis i sigurt, duke i bërë presion Serbisë dhe aleatëve të saj në Kosovën Veriore që të heqin të gjitha pengesat dhe bllokadat dhe të lejojnë rikthimin e shpejtë në kushtet normale, çka do lehtësonte përparimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Së fundi, Ju lutemi, Zoti President, pranoni sigurimet e konsideratave tona më të larta!

Me respekt,

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë

Share: