Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar përsëri pas deklaratës së përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, duke thumbuar gjuhën diplomatike të përdorur, që kishte cilësuar si paqësore barrikadat.
“Na vjen keq, nuk jemi dakord! Barrikadat nuk janë mjet proteste paqësore! Nëse do të ishte kështu, atëherë do të duhej të rishikoheshin shumë nocione themelore të qytetërimit tonë për bashkëjetesën paqësore mes njerëzve, komuniteteve, partive, kombeve. Me pasoja dramatike. Nuk është një ide e mirë, fare”, ishte mesazhi i ministres.
Në dokumentin e përbashkët SHBA-BE, thuhej mes të tjerash se ata apelonin për respektimin e ligjit dhe mirëprisnin “garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmojnë se nuk ekzistojnë lista të qytetarëve serbë të Kosovës që do të arrestohen apo ndiqen penalisht për protesta/barrikada paqësore”.
Postimin e saj ministrja e shoqëronte me një pamje të një barrikade të 28 marsit 1871 në Paris, në të ashtuquajturën revoltën e Komunës, që solli një përballje të përgjakshme midis qeverisë legjitime dhe një tjetër paralele që i kushtoi kryeqytetit francez shkatërrimin e pjesshëm te institucioneve dhe të paktën 20 mijë viktima.