Plani franko-gjerman, i cili është bërë plan i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është kornizë e re negociuese për Serbinë, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
“Nuk ka progres për ne nëse nuk bashkëpunojmë për këtë çështje”, tha ai në një konferencë për media mbrëmjen e 23 janarit.
Vuçiç deklaroi se diplomatët e huaj i kanë thënë se nëse nuk e pranon planin franko-gjerman, Serbia do të përballet me ndalimin e integrimit evropian, ndalimin e investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse në kuptimin politik dhe ekonomik.
“Duhet ta pranoni këtë plan, më thanë”, tha Vuçiç.
Vuçiç tha se i gjithë konteksti evropian ka ndryshuar pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Serbia është në radarin e të gjithëve sepse nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë”, tha ai.
Ai tha se se ky fakt është bërë një nga problemet më të mëdha për Serbinë. Më herët gjatë ditës, me ftesë të kryeministres, Ana Brnabiq, Vuçiç mori pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë, e cila zgjati rreth dy orë dhe ishte e mbyllur për publikun.
Pas takimit, u tha se presidenti serb njoftoi ministrat për qëndrimin e Beogradit zyrtar për çështjen e Kosovës, siç u tha, me “sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet Serbia”.
Sipas njoftimit të Qeverisë serbe, në takim “u pajtuan që presidenti, qeveria dhe të gjitha autoritetet ekzekutive të punojnë në mënyrë të sinkronizuar dhe të unifikuar”.
Më 20 janar, Vuçiç takoi pesë diplomatë të një ekipi evropiano-amerikan, ku më pas deklaroi se Beogradi është i gatshëm të punojë në zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Vuçiq tha se ka “shqetësim dhe rezervë për një çështje e rëndësishme”, por nuk dha më shumë detaje, meqë tha se nuk mund të flasë për këtë pasi propozimi nuk është publik./REL