Home KRYESORE SPAK kërkon arrestimin e Ahmetajt/ Debate në mbledhjen e Këshillit të Mandateve,...

SPAK kërkon arrestimin e Ahmetajt/ Debate në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, avokatët: Ish-ministri nuk është në Shqipëri!

Këshilli i Mandateve vazhdon mbledhjen me dyer të mbyllura për të marrë vendimin për mandatin e deputetit Arben Ahmetaj.

Kreu i SPAK Altin Dumani dhe më pas prokurorja Enkeleda Millonai, i kanë parashtruar Këshillit të gjitha faktet përmes të cilave mendojnë se Ahmetaj duhet të arrestohet.

I pyetur nga një deputet socialist, Dumani thotë se të gjitha faktet janë të atilla që e justifikojnë arrestimin e ish-ministrit të Financave.

Mbledhja është shoqëruar me debate të forta, teksa opozita kërkon që kjo mbledhje të bëhet me dyer të hapura. Për herë të parë, SPAK i ka kërkuar Kuvendit që kjo seancë të jetë me dyer të mbyllura, pasi në dosjen e konsideruar sekret përfshihen dhe emra të tjerë.

Ndërsa avokatët mbrojtës Saimir Visha dhe Enrik Ligori duan shtyrjen e mbledhjes, pasi kërkojnë më shumë kohë. Si rrjedhojë, nuk pritet që sot të merret vendim dhe Këshilli i Mandateve mund të caktojnë një tjetër datë për mbledhjen e radhës.

Mësohet se avokatët kanë deklaruar dhe Arben Ahmetaj nuk ndodhet në Shqipëri, por nuk dihet vendodhja e tij.

Skenari i parë, ku Arben Ahmetaj mund të hiqte dorë vullnetarisht nga mandati u rrëzua, pasi ish-zëvendës/kryeministri nuk u paraqit në Kuvend. Tashmë i mbetet Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të marrë vendimin për mandatin e deputetit të Ahmetajt.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, i kërkoi Kuvendit një ditë më parë dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj.

SPAK deklaron se ka mbledhur prova që tregojnë se ish-ministri i Financave në gjashtë raste ka kryer korrupsion.

Shembulli më korruptiv dhe flagrant lidhet me gjurmët e mbetura në kompjuterin e Klodian Zotos, një i kërkuar dhe i akuzuar për inceneratorët i cili dyshohet se i pagoi udhëtime në disa shtete, atij dhe bashkëshortes. Pesë rastet e tjera të korrupsionit mbahen sekret nga SPAK pasi ka edhe persona të tjerë nën hetim.

Në letër-porositë e ndërkombëtarëve por edhe llogaritë bankare, SPAK thotë se nga udhëtimet, Arben Ahmetaj përfitoi 34 mijë euro.

Kjo ishte gjurma e parë që u bë shkak që SPAK ta veçonte Ahmetaj në atë kohë numri dy i qeverisë nga dosja 277 thënë ndryshe inceneratori i Elbasanit, duke e ndarë në fraksion më vete

Por Arben Ahmetaj dyshohet nga SPAK për veprime të dyshimta për të tre inceneratorët.

Akuza tjetër lidhet me fshehjen e pasurisë, dhe hetimi bazohet në sekuestrimin preventiv ndaj dy vilave, njëra në Palasë dhe tjetra në Hamallaj.

Top Channel

Share: