Home KRYESORE Dritë-hije të menaxhimit shëndetësor.

Dritë-hije të menaxhimit shëndetësor.

Nga Lajla Përnaska

Shërbimi i kujdesit shëndetësor është jetik dhe ka një pritshmëri të lartë qytetare për efikasitetin dhe aksesin që ofrohet, si dhe për të zbuluar abuzime të mundshme me fondet publike, apo korrupsionin në mënyrën e menaxhimit të tij.

Sistemi i ri i drejtësisë, po bën hetim të fokusuar në akuzat lidhur me kontratën e sterilizimit, realizuar me mekanizmin e PPP-ve nga qeverisja PS-LSI (2015) dhe pritet të zbardhi këtë proçes që në zanafillë të tij.
Si njohëse e politikave shëndetësore, jam përfishirë fillimisht në proçesin e reformave në sistemin shëndetësor më 1995-1997, (pas një periudhe specializimi në Francë). E kam ndjekur në tërësi ecurinë e këtij proçesi dhe në pozicionin e konsulentes me organizma ndërkombetare, apo deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

Por lidhur me futjen e praktikës së PPP-ve, duhet theksuar se:

-Së pari, që kur u shpall ky plan masash nga Ministria e Shëndetësisë, kam shprehur skepticizmin tim lidhur me kosto-efikasitetin e kësaj kontrate të quajtur PPP , si një mekanizëm i pa aplikuar më parë dhe që binte ndeshme rregullat e standardet e organizimit të shërbimit shëndetësor publik.

Veprimet e Ministrisë së Shëndetësisë së kohës ishin arbitrare,pa një vizion të qartë se drejt çfarë modeli do zhvillohej sistemi shëndetësor në tërësinë e tij (në fakt ky vizion mungon ende sot).

U krijuan situata absurde me çështje si “testimi i mjekëve”, që shkaktoi si asnjëherë më parë reagimin e bluzave të bardha në mbrojtje të kuadrit ligjor dhe dinjitetit të tyre profesional e njerëzor. Duke vazhduar me problematikat e mprehta të mungesës së barnave dhe bazës materiale në shërbimin publik e deri tek i ashtuquajturi zhvillimi i partneritetit publik privat, ose PPP-të. Lidhur me “konçesionin e shërbimit të sterilizimit të sallave kirurgjikale në të gjitha spitalet publike”,nga mjaft specialistë dhe jo thjesht nga opozita e kohës, ai u gjykua i pavend, përfshirë dhe kontratën tjetër e njohur si “check-up-i falas”.

Që në koncept praktika konsiderohet e pasaktë, pasi me “konçesion” jepen prona publike, ndërsa spitali është shërbim dhe mund të bëhet fjalë për praktika “outsource”, që lidhen në marrëveshje specifike,afatshkurtra me sektorin privat.

-Së dyti, burimi i financimit është totalisht nga buxheti i MSH-së dhe jo i sektorit privat.

-Së treti, një kontratë e tillë 10 vjeçare, bie ndesh me vetë thelbin e proçesit të reformës në shërbimin e përkujdesjes shëndetësore, që është dinamik, ka qëllim matjen e kostos së shërbimeve dhe riorganizmin e tyre në bazë të kosto-efikasitetit dhe nuk mundet të jetë statik dhe i ngërthyer brenda një kontrate afatgjatë, me një subjekt privat.

-Së katërti, kjo “kontratë’ bie ndesh me atë që njihet si autonomia spitalore, për të cilën prej kohësh janë bërë përpjekje edhe në Shqipëri, duke bërë të kundërtën, centralizimin e plotë të menaxhimit spitalor!

– Ndërkohë që po për praktikën e sterilizimit “sigurinë e pacientit dhe jetës së njeriut në sallat e operacionit”, ishte një investim i konsiderueshëm (2012) në QSUT, me ndërtimin e një infrastrukture moderne të sterilizimit, që nuk u vu asnjëherë në përdorim?! Nuk u bë transparencë përse gjithë ky investim nuk u vu në funksionim dhe askush nuk mori përgjegjësi, edhe pse ndotja spitalore raportohej nga ISHP, në nivele të larta .

Për rritjen e sigurisë së pacientit, siç gjykohej nga specialistët, me një investim më të ulët se shifra e kësaj kontrate, mund të vihej në përdorim pikërisht investimi i bërë, për të cilin është koha të zbardhet pse nuk funksionoi?!

Siç dihet, buxheti i shtetit në shëndetësi mbetet modest me rreth 3% të GDP-së dhe shuma të tilla investimi,edhe pse mund të përmirësojnë disa nga treguesit e shërbimit spitalor, nuk janë në raport me emergjencat në shërbimet publike, ku herë pas here ngecet tek çështja “ka ilaçe, s’ka ilaçe”,ka shërbim, ose jo, problematika fatkeqësisht ende të pazgjidhura, ndërkohë që shumat e hedhura për këto PPP, janë tejet të larta.

Koncepti dhe modeli i “partneritetit publik-privat” është një praktikë e njohur në vendet e zhvilluara dhe nuk është sigurisht “shpikje” e MSH-së sonë. Por dhe ky partneritet ka rregullat dhe standardet e veta të qarta, që nuk duhet te bien ndesh me parimet dhe menaxhimin e funksionalitetit dhe performancës së shërbimeve tona publike.

– E gjithë armata që punon brenda sektorit të shërbimeve shëndetësore, qoftë publik, apo privat, qoftë si specialistë shërbimesh, apo politikëbërës, bazohet mbi një interes të përbashkët dhe shumë madhor : “Rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e jetës së pacientit”.

Por këto objektiva, të cilat duhet patjetër më së pari të jenë “të matshme”, mund të arrihen me një menaxhim efikas të fondeve modeste të sektorit të shëndetësisë në vend. Dhe për këtë duhet minimalisht të shfrytëzohet me efikasitet çdo investim paraprak i bërë deri më sot, duhet një përllogaritje reale dhe e saktë se ku duhet të adresohen fondet në vazhdim dhe me një transparencë të plotë për çdo qindarkë të përdorimit të fondeve publike, të gjitha këto bazuar dhe në respektim të afateve kohore, që të jep një mandat qeverisës, (që në sistemin politik shqiptar është 4-vjeçar)!

Në vitet e fundit, kriza ekonomike ka nxitur një debat dinamik edhe në vendet me një sistem shëndetësor të konsoliduar, me përpjekje për të hapur sistemin shëndetësor ndaj kapitalit privat. Konstatohet kontradikta ndërmjet strukturës jo-kapitaliste, publike dhe të solidaritetit të sistemit të financimit dhe strukturës kapitaliste, private dhe të orientuar nga fitimi. Gjithësesi, ka një rezonancë ekspertize, sipas së cilës privatizimi do të përkeqsonte rezultatet dhe do ta bënte sistemin më të shtrenjtë, pasi në këtë rast shpenzimet paguhen nga individët dhe jo nga një sistem solidariteti.

Po sistemi ynë i përkujdesit shëndetësor, çfarë lloj modeli përfaqëson!?

healthcare #healthmanagment #healthrights #transparency #goodgovernance #healthreforms

Share: