Home Gjeo-Ekonomia Pasoja e përkëdheljes së Vuçiqit!

Pasoja e përkëdheljes së Vuçiqit!

Nga Lis Bukuroca

Vrasja e policit shqiptar, plagosja e dy të tjerëve janë pasoja normale pas përkëdheljeve së Vuçiqit. Perëndimi demokratik, liberal, po i nënshtrohet një ultra-nacionalisti, një radikali serb. Po dëmton një demokraci në ndërtim e sipër, për ta bërë për vete një autokraci si ajo e Urbanit. Ky qëndrim nuk mund më të interpretohet si aleancë sistemesh dhe vlerash demokratike, por mbështetje nacional-fundamentalizmit ortodoks.

Nga ministrat dhe bashkëpunëtorët e Hitlerit nuk do të kishte qenë normale të pritej politike e moderuar, por parapërgatitje për konflikte të reja: armatosje e vazhdueshme dhe shpresë se bota ndryshon si i konvenon fashizmit.

Vuçiqi i trimëruar tha në OKB se nuk shkëputet nga Rusia. Në një luftë eventuale Perëndim-Rusi, Serbia sigurisht do të rreshtohej përkrah Putinit. Ndoshta atë rrugë do të ndiqte edhe Urbani i Hungarisë. 

Opozita demokratike do të forcohej dhe vinte në pushtet në Serbi vetëm nëse Perëndimi e trajton Serbinë si eksklavë ruse dhe ia vendos të gjitha sanksionet si Rusisë. Nëse kërcënohet me izolim si Koreja e Veriut, ajo brenda javës do të bëhej konstruktive dhe pro-perëndimore, por, një ultra-nacionalist si Vuçiqi, nuk impresionohet kurrë nga lutjet, as nga kërcënimet boshe. E dëshmoi në OKB.

Ai nuk dëshiron të ndryshojë Serbia, por sipas tij, bota duhet të ndryshojë dhe duhet të kuptojë dëshirat e Serbisë, më saktë, dëshirat e ultra-nacionalizmin dhe të pranojë epërsinë racore serbe. Prandaj ajo kërkon për serbet autonomi dhe as që brengoset se dikush mund të kërkojë atë për Luginën, për Sanxhakun, apo për hungarezët në Banat, apo për bullgarët në lindje. Jo, sepse pjesëtarët e atyre kombeve konsiderohen nga nacionalistët si jo të denjë për jetë të barabartë me serbet.

Sidoqoftë rruga më e lehtë dhe më efektive është kërcënimi Serbisë me izolim total.  Ajo është e rrethuar me vendet e NATO-së dhe droja se mund të përjashtohej politikisht nga kontinenti, do të ndikonte në rrëzimin e elitës ultra-nacionaliste që përfaqësohet nga nxënësit e Millosheviqit. Nëse nuk i caktohet Vuçiqit kufijtë e veprimit, në Ballkan mund të shpërthejë një luftë e re. 

Te portali Danas Dushan Janjiq tha ” se në Kosovë janë aktivë edhe  njerëz të trajnuar nga Wagner, si dhe nga xhihadistët islamikë, të lidhur me Palestinën dhe Rusinë.“

Pa lejen e autokratit Vuçiqi nuk ndodh asgjë në veri të Kosovës. As arrestimi i policëve para disa muajve, as vrasja dhe plagosja tani. Ky disa herë deri tani ka mobilizuar armatën kundër Kosovës.

Share: