Home KRYESORE Pritje dhe aktivitete kulturore në Shqipëri me rastin e Ditës Kombëtare të...

Pritje dhe aktivitete kulturore në Shqipëri me rastin e Ditës Kombëtare të Kinës dhe javës kulturore.

Ambasada e Kinës në Shqipëri organizoi një pritje me rastin e Ditës Kombëtare të Kinës dhe kjo ishte e organizuar në nisje të Javës së Kulturës Kineze.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Kinës në Shqipëri, Wang Dexin në fjalën e tij përshëndetëse tha se vitet e fundit marrëdhëniet Kinë-Shqipëri kanë ruajtur një vrull të mirë zhvillimi, me të dy vendet që përballen me mundësi të reja bashkëpunimi në kuadër  të nismës “Një brez, një rrugë” dhe Mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

“Dashuria dhe miqësia mes dy popujve qëndron si një interpretim i gjallë i poemës kineze “Sado larg nga miqtë jemi, porsi komshinj të mirë i kemi”,- deklaroi Wang përpara të ftuarve që kishin mbushur sallën e madhe të konferencave në MAK Albania.

Dexing kujtoi se këtë vit të dy vendet nënshkruan marrëveshjen për heqjen reciproke të vizave si dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin Turistik, duke hapur rrugën për forcimin e mëtejshëm të shkëmbimeve dypalëshe.

Të pranishëm në këtë aktivitetet ishin edhe kryetari i Grupit kuvendor të Miqësisë Shqipëri-Kinë, Bardhyl Kollçaku, ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, ish-diplomatë, nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, Keti Luarasi, përfaqësues të komuniteteve fetare.

Dita Kombëtare e Kinës është më 1 tetor, që përkon dhe me mbylljen e Javës së Kulturës kineze në Tiranë e cils shoqërohet nga Java Kulturore e Kinës që filloi të zhvillohet nga data 25 shtator e do vazhdojë deri 1 tetor 2023.

Programi është i mbushur me aktivitete tërheqëse nga  folklori i Kinës, festivali i ushqimit kinez, gala akrobatike, ekspozitë fotografike, arte marciale dhe koncert muzikor.

Në Sheshin “Italia” për dy mbasdite rresht kishte shumë dashamirës të Kinës të moshave të ndryshme që morën pjesë dhe shijuan shfaqjet artistike dhe ushqime tradicionale kineze.

Aktivitetet kulturore do të vazhdojnë deri me datë 1 tetor dhe janë elitare.

Shënim: fotot janë të realizuara nga Radio Ejani!

Share: