Refugjatet që do të vendosen në kampin që do të ndërtohet në Gjadër të Lezhës, do të jenë të izoluar dhe nuk do të kenë asnjë kontakt me të tjerët, u shpreh ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit, Elisa Spiropali.
Gjatë debatit në studion e “Top Story”, me autorësinë dhe moderimin e Grida Dumës, Spiropali shpjegoi si do të veprohet me refugjatët kur t’i pranohet ose refuzohet azili.
“Nuk do të rrinë në Shqipëri, nëse u refuzohet azili. Forcat ushtarake italiane i sjellin në portin e Shëngjinit, i identifikon, vendosen në qendër, aplikon për azil. Nëse azili i jepet, shkon në Itali. Nëse i refuzohet, shkon sërish në Itali dhe i kthen në vendin e origjinës”.
Sipas Spiropalit, nuk ka marrëveshje që refugjatët të mbeten këtu. Ajo u shpreh se më këtë operacion, Shqipëria ngre imazhin, teksa bëhet pjesë e zgjedhjes.
“Imazhi i Shqipërisë për të gjitha operacionet që Shqipëria ka ndërmarr, edhe për këtë operacion që është problem i BE, ku edhe Shqipëria do të përballet shpejt. Por sot po bëhet pjesë e zgjidhjes”.
Sipas marrëveshjes, kampet e refugjatëve do të ndërtohen në Gjadër të Lezhës. Pala shqiptare i njeh palës italiane të drejtën për përdorimin e zonave, të cilat jepen pa kundërshpërblim për të gjithë kohëzgjatjen e këtij protokolli. Pala shqiptare e dhe ajo italiane bien dakord se numri i përgjithshëm i migrantëve, nuk mund të jetë më i lartë se 3.000.
Kampet menaxhohen nga pala italiane. Autoritetet kompetente shqiptare lejojnë hyrjen dhe qëndrimin në territorin shqiptar të migrantëve, me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian e evropian.
Hyrja e migrantëve në ujërat territoriale dhe në territorin e Republikës së Shqipërisë do të kryhet ekskluzivisht me mjetet italiane dhe shpenzimet do të mbulohen nga Italia, që do të krijojë edhe qendra shëndetësore për ta.
360grade.al