Nga Artur Nura
Takimi mes presidentit amerikan Joe Biden dhe atij kinez Xi Jinping në Kaliforni përfundoi pas katër orësh bisedime për një listë të gjatë argumentash globale komplekse për të cilat dy njerëzit më të fuqishëm të botës kanë negociuar.
Të gjitha Mediat botërore e kanë pasqyruar gjerësisht këtë takim historik midis përfaqësuesve më të lartë të dy superfaqive më të rëndësishme të botës, sigurisht edhe sipas interesave gjeopolitike të vëndeve përkatëse, por në këtë artikull tonin ne sot do përmbledhim disa qasje të rëndësishme të pasqyrimit qe I kanë bërë këtyre negociatave të vështira midis Jinping dhe Biden, Mediat italiane.
Xinhua
Sipas “Rai News” në artikullin me titull: “Biden dhe Xi, rinovuan marrëveshjen për një “bashkëjetesë strategjike”, shkruhet se Xi Jinping e quajti partneritetin SHBA-Kinë “marrëdhënien dypalëshe më të rëndësishme në botë” dhe tha se ai dhe Joe Biden “mbartin përgjegjësi të rënda për të dy popujt, për botën dhe për historinë”, ndërsa Biden nënvizoi vlerën e të dy liderëve që flasin personalisht, duke thënë: “Nuk ka alternativë ndaj diskutimeve ballë për ballë”. “Ne duhet të sigurohemi që konkurrenca të mos çojë në konflikt”, shtoi Biden.
Duhet nënvijëzuar se pas disa vitesh tensionesh në rritje, – thekson “Rai News” – të dy vendet i janë rikthyer komunkimit të drejtpërdrejt me njëri-tjetrin dhe të përpiqen të gjejnë një ekuilibër, takimi historik i Xi Jimping dhe Joe Biden është rivendosja e komunikimeve ushtarake “në nivel të lartë” dhe “bashkëjetesa në mënyrë paqësore dhe ne respekt të njëri-tjetrit”.
“Progres i rëndësishëm” – kështu e karakterizoi presidenti amerikan Joe Biden takimin kokë më kokë me liderin e Pekinit Xi Jinping, i pari në një vit, i orkestruar për të zbutur tensionet mes dy fuqive të mëdha, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Xinhua
Në një konferencë të shkurtër dhe të rrallë për shtyp në Woodside, afër San Franciskos, Biden njoftoi marrëveshje dypalëshe që synojnë rivendosjen e linjave të drejtpërdrejta të komunikimit në nivel ushtarak dhe presidencial. – shkruan “Il Sole 24 ore” që thekson se në fillim të samitit, Biden e kishte përshëndetur Xi-në me një shtrëngim duarsh dhe duke nënvizuar rëndësinë e shkëmbimeve të pikëpamjeve “nga lideri te lideri” ndërsa Xi u përgjigj se “Planeti Tokë është mjaft i madh” për të dy vendet, të cilat janë në gjendje të “kalojnë përtej dallimeve të tyre”. Për dy kombe të mëdha si Kina dhe SHBA-ja, shtoi ai, “kthimi i shpinës nga njëri-tjetri nuk është një opsion”.
“Bota – nënvizon Zv. Rektori Politeknikumit te Milanos Giuliano Noci per “Wired.it” në artikullin me titull: “Pse takimi mes Xi Jinping dhe Joe Biden duhet të shkojë mire” – ka nevojë që dy superfuqitë të dialogojnë, si nga pikëpamja ekonomike, duke pasur parasysh ndërvarësinë e zinxhirëve të furnizimit, ashtu edhe nga pikëpamja ushtarake: Kina dhe Shtetet e Bashkuara kishin ndërprerë komunikimet ushtarake për më shumë se një vit, diçka që nuk kishte ndodhur as në periudhën më të keqe të Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik”.
Sipas opinionit të zv. Rektorit Noci, nga pikëpamja ekonomike, takimi i San Franciskos mund të jetë strategjik për rigjallërimin e marrëdhënieve tregtare që janë bërë disi të rënduara gjatë viteve. “Edhe nëse jo menjëherë, mund të jetë efekti i vërtetë pozitiv. Kina – nënvizon Noci – është një treg i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara i cili është ftohur kohët e fundit. Kjo ulje e shpresuar mund të jetë një shenjë e një klime paksa më miqësore ndaj biznesit dhe për këtë arsye t’i shtyjë sipërmarrësit nga të dyja palët të perceptojnë një rrezik më të ulët në marrëdhëniet tregtare me homologët e tyre përkatës”.
CFP
Ndërsa “Rai News” shkruan, Tajvani, një nga çështjet më delikate dypalëshe, Biden e kufizoi veten duke përsëritur se ai i përmbahet politikës së një Kine, të dashur për Pekinin, dhe që për rrjedhojë nuk mbështet pavarësinë e ishullit.
“Il Post.it” ne artikullin me titull: “Pse takimi mes Xi Jinping dhe Joe Biden është i rëndësishëm” shkruan se Administrata Biden rifilloi nismën e dialogut me Pekinin gjatë pranverës dhe verës së këtij viti, kur filloi të dërgonte anëtarë të qeverisë dhe zyrtarë kryesorë për vizita zyrtare në Kinë me qëllim të rivendosjes së marrëdhënieve. Ndër të tjera, Sekretarja e Tregtisë Gina Raimondo, Sekretarja e Thesarit Janet Yellen dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken, plus shumë zyrtarë të tjerë të rangut më të ulët, kanë qenë në Kinë muajt e fundit. Ka pasur edhe takime të fshehta, të cilat më vonë u zbuluan nga shtypi.
“Il Post.it” kujton edhe një intervistë te Biden për CNN ku ai nënvijëzon se administrata amerikane po përpiqet të arrijë një “marrëdhënie pune” me Kinën që u lejon dy vendeve të dialogojnë për çështjet më të rëndësishme dhe që shmang përplasjet dhe konfliktet e papritura.
Nga ana kineze, propozimet amerikane fillimisht u pritën me njëfarë ftohtësie, aq sa gazetat amerikane muajt e fundit kishin pyetur veten nëse Biden nuk po lëshonte aq sa nevojitet. Gjërat kanë ndryshuar vetëm kohët e fundit, dhe mjaft papritur, aq shumë sa Bill Bishop, një analist i njohur i çështjeve kineze, foli në gazetën e tij Sinocism me një kthesë “180 gradë” – kujton “Il Post.it”
Ndërsa Internazionale.it ne artikullin me titull: “Takimi konstruktiv në San Francisko mes Joe Biden dhe Xi Jinping” shkruan midis të tjerash se Presidenti 80-vjeçar i SHBA-së ka siguruar se në rast krize dy liderët do të mund të marrin telefonin dhe të flasin direkt me njëri-tjetrin. Xi ra dakord të merrte disa masa kundër trafikimit të fentanilit, një opioid i fuqishëm sintetik i prodhuar kryesisht në Kinë. Uashingtoni dhe Pekini gjithashtu kanë rënë dakord të krijojnë një grup ekspertësh për të diskutuar rreziqet që lidhen me inteligjencën artificiale.
CFP
“Il Manifesto.it” ne artikullin me titull: “Biden-Xi, përparon ngadalë, por kontaktet ushtarake mes SHBA-së dhe Kinës po rifillojnë” shkruan midis te tjerash se, SAMITI, i cili zgjati katër orë, i shoqeruar me një drekë me ravioli dhe pulë të pjekur, dha rezultatet e pritura. Më e rëndësishmja është rifillimi i komunikimeve ushtarake dhe kontakteve ndërmjet drejtuesve të kampeve të ndryshëm strategjikë. Një zhvillim themelor për të parandaluar që konfrontimi në zonat e tensionit të mos rrezikojë të kthehet në konflikt…
U krijua edhe një grup i përbashkët kundër drogës, pas atij të shpallur një ditë më parë për klimën. Biden dhe Xi ranë dakord më pas të rrisin fluturimet midis dy vendeve dhe të zgjerojnë shkëmbimet në fushën e arsimit, kulturës dhe sportit.
Në fund të samitit, Xi kishte darkë me sipërmarrës të mëdhenj amerikanë. Të pranishëm mes të tjerëve ishin Elon Musk dhe CEO të Apple, BlackRock, MasterCard, Qualcomm, Pfizer dhe FedEx. Një mundësi thelbësore për të përsëritur retorikën e shkëmbimeve mes njerëzve, e dobishme për të anashkaluar një politikë amerikane të përshkruar nga komentatorët kinezë si “të paqëndrueshme” në funksion të vitit zgjedhor.
“KALIMI i kohës është si një lumë i furishëm: shumë është fshirë, por më e çmuara mbetet. Trendi historik i bashkëjetesës paqësore midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të ndryshojë, as dëshira e dy popujve tanë për shkëmbime dhe bashkëpunim”, tha Xi në fjalimin e duartrokitur nga të pranishmit, përfshirë 85-vjeçaren Sarah Lande dhe “Miqtë e vjetër” të ‘Iowa’s. Dmth Jo saktësisht një imazh i ri i Luftës së Ftohtë. – saktëson “Il Manifesto.it”
Pas këtyre konkluzioneve të cilat i solla nëpërmjet një seleksionimi racional që bëra nga shtypi italian, të cilin e ndaj edhe personalisht, mund të shtoj se, sipas meje, gjasat të cojnë në konkluzione të mundëshme se tashmë kemi të bëjmë me një zhivillim të ri gjeopolitik që na tregon se palët po bien dakort se bota duhet bashkëdrejtuar në mënyrë më konstruktive.
Parimisht zonat e influencave gjeopolitike të palëve nëse koordinohen vetë palët (kryesisht SHBA – KINE) arrijnë që parimisht të jenë në gjëndje për të kontribuar në frenimin e konflikteteve të përgjakshme në vijim dhe forcimin e dialogut midis kundërshtarëve e, ky zhvillim mund të vlejë edhe për të mos lejuar të ndodhin të tjera konflikte të mundëshme në botë, kështu për ti ofruar njerëzimit një botë më të mirë dhe më paqësore.
Sic u demostrua edhe në takimin e presidentit kinez Xi Jinping me presidentin amerikan Joe Biden, një takim kolegjial i shoqëruar me delegacionet përkatëse, konstruktiviteti është domosdoshmëri. Pas kësaj, presidenti Biden dhe presidenti Jinping tashmë kanë rënë dakort për një gjë të rëndësishme dhe thelbësore që është komunikimi i drejtëpërdrejtë midis tyre, në rast nevoje edhe ai telefonik. Kjo thotë shumë dhe do të na nevojitet në ditët në vijim një shkrim tjetër për ta analizuar më thellësisht…/CRI.CN